Lidhur me ngjarjen me karakter penal-juridik, e cila ka ndodhur më 07.10.2026, rreth orës 20:25, në rrugën „Crnogorska” në Shkup, policia ka ndërmarrë masa pas marrjes së informacioneve operative se do të kryhej vepër penale sipas nenit 215, për shitblerjen e marihuanës.
Gjatë pritës së organizuar ndaj një automjeti të udhëtarëve të markës „BMW”, me targa të Shkupit, pas marrjes së informacioneve operative, policia ka ndërmarrë menjëherë masat përkatëse dhe u ka dhënë shenjë ndalimi personave që ndodheshin në automjet.
Pasi zyrtarët policorë iu afruan automjetit me qëllim identifikimin e personave dhe kontrollin e tij, shoferi e ndezi automjetin, me ç’rast u përplas me një shtyllë. Në të njëjtin moment, përmes dritares, ai hodhi një qese me marihuanë.
Në atë çast, njëri nga zyrtarët policorë nxori pistoletën zyrtare dhe, nga ana e bashkudhëtarit, përmes dritares gjysmë të hapur, dha urdhrin: „Ndal, polici!”. Megjithatë, personi që ndodhej në ulësen e bashkudhëtarit ia mori pistoletën zyrtare policit, ndërsa shoferi e ndezi automjetin dhe u largua me shpejtësi.
Zyrtarët policorë të pozicionuar në afërsi u vunë në ndjekje të automjetit, i cili lëvizte me shpejtësi të madhe përgjatë rrugës „Gjorçe Petrov”, në drejtim të autostradës Shkup–Tetovë. Personat nuk iu bindën sinjaleve zanore dhe dritore të policisë, ndërsa njëri nga zyrtarët policorë qëlloi edhe tre herë në ajër, me të shtëna paralajmëruese.
Në një moment, automjeti „BMW” u përplas me barrierën mbrojtëse të autostradës dhe u rrotullua. Pas kësaj, nga automjeti dolën shoferi P.A. (24) dhe bashkudhëtari E.P. (21).
Të dy personat u privuan nga liria, pistoleta u sekuestrua, ndërsa pas kontrollit të terrenit u gjet edhe qesja me marihuanë.
Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Njësia për Kriminalitet të Dhunshëm pranë SPB-së Shkup, sot (14.10.2026), ka paraqitur kallëzim penal në Prokurori kundër E.P. dhe P.A., për veprat penale:
„Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, sipas nenit 382 të Kodit Penal;
„Prodhimi i paautorizuar dhe vendosja në qarkullim e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Ndërkaq, kundër M.T., për të cilin ekzistojnë informacione se është i lidhur me rastin, është paraqitur kallëzim penal për veprën penale „Prodhimi i paautorizuar dhe vendosja në qarkullim e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Gjithashtu, për ngjarjen është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili po ndërmerr masa dhe aktivitete për të shqyrtuar parregullsitë e mundshme gjatë veprimeve të zyrtarëve policorë në këtë rast.



