13 kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje janë të përfshirë në raste penale. Në mesin e tyre edhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili ishte dënuar në vitin 2018 me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Partitë politike kanë dorëzuar të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në mesin e 110 kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjenden edhe persona me aktakuza aktive, e ish të dënuar me dënime penale.
Vetëm në top 10-shen e parë të listës së VV-së gjenden katër deputetë me precedentë penal.
Kryesimin e saj e bën Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë ishte dënuar në vitin 2018 me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Menjëherë pas Kurtit radhitet Glauk Konjufca.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme ka aktakuzë aktive për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Konjufca ishte shpallur i pafajshëm në shkallë të parë, megjithatë Apeli e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
Pa precedent penal nuk është as ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ajo ishte dënuar në vitin 2018 me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, ndërsa rasti i saj për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend është parashkruar para disa muajve.
Me aktakuza aktive në listën e Lëvizjes Vetëvendosje janë Xhelal Sveçla, Rozeta Hajdari, Fitore Pacolli Dalipi, Egzon Azemi, Salih Zyba e Valon Ramadani.
Sveçla, Zyba, Pacolli Dalipi e Ramadani akuzohen për veprën penale “Përdorimi i një arme ose instrumenti të rrezikshëm”, kurse ndaj Ramadanit rëndon edhe vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Ish-aktivisti i Vetëvendosjes, i zgjedhur në zgjedhjet e fundit edhe deputet, Egzon Azemi, është dënuar së fundmi nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit e 6 muaj burgim për shkak të veprës penale nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.
Një ndër akuzat me të rënda në listën e Lëvizjes Vetëvendosje rëndojnë ndaj ish-ministres Hajdari.
Ajo akuzohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare në rastin e Rezervave Shtetërore.
Përpos kandidatëve me aktakuza aktive, në listën e Vetëvendosjes janë vendosur edhe kandidatë me të kaluar kriminale.
Bajram Mavriqi, me numër 97 në listën e VV-së ishte dënuar për Mosraportim ose raportim të rremë të të ardhurave. Ai ishte dënuar me 1500 euro gjobë.
Për të njëjtën vepër penale në listën e VV-së ishte dënuar edhe Liza Gashi e Rozeta Hajdari.
Gashi ishte dënuar me 500 euro, kurse Hajdari me 700 euro.
Në listën e LVV-së është vendosur edhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Ai ishte dënuar me një vit dënim me kusht për shkak të veprës penale përdorimi i një arme ose mjeti të rrezikshëm.


