Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se një përfaqësues nga partia e tij do të jetë pjesë e Grupit Punues që dje themeloi Qeveria e Kosovës për të hartuar strategji për mbrojtjen në Apel të katër ish-krerëve të UÇK’së.
“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik Kujtim Shalën. Nëse akademik, Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do jetë vetë Jehona Lushaku Sadriu”.
I pyetur se si e sheh këtë iniciativë, Abdixhiku tha: “Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje ka marrë vendim që të themelohet Grupi Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, si dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në këtë Grup Punues do të jetë nga një përfaqësues i grupeve parlamentare të partive shqiptare, si dhe një përfaqësues të grupeve parlamentare joshumicë./Express/



