La Liga po e përjeton një nga garat më dramatike për mbijetesë në historinë e saj moderne.
Vetëm pak javë nga fundi i sezonit, plot 13 skuadra vazhdojnë të jenë matematikisht të rrezikuara për rënie nga kategoria, në një kampionat ku diferencat në tabelë janë minimale dhe çdo pikë mund të ndryshojë gjithçka.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, diferenca mes vendit të 10-të dhe zonës së rënies është vetëm disa pikë, duke e krijuar një situatë të pazakontë ku skuadrat që e ëndërrojnë Evropën mund të përfundojnë edhe në Segunda División në rast të disa rezultateve negative, përcjell “Gazeta Express”.
Në fundin e tabelës, Real Oviedo duket pothuajse i dorëzuar dhe është shumë pranë zyrtarizimit të rënies nga liga, ndërsa Levante, Alavés, Girona, Elche, Mallorca, Espanyoli dhe Sevilla vazhdojnë të luftojnë për t’i shmangur tre vendet e fundit.
Situata është bërë edhe më e tensionuar për shkak të faktit se kufiri tradicional i mbijetesës prej 40 pikësh mund të mos mjaftojë këtë sezon.
Analistët në Spanjë besojnë se për ta siguruar qëndrimin në elitë mund të nevojiten 43 ose 44 pikë, pasi shumë skuadra po marrin rezultate pozitive në javët e fundit.
Një nga ekipet që ka reaguar më mirë është Sevilla.
Andaluzianët, pas një sezoni shumë të vështirë, i kanë marrë dy fitore radhazi dhe janë larguar përkohësisht nga zona e rrezikut.
Megjithatë, trajneri Luis García Plaza ka deklaruar se skuadra nuk ndihet ende e sigurt.
“Me 40 pikë nuk jemi ende të shpëtuar”, tha ai pas fitores ndaj Espanyolit.
Edhe Mallorca e Vedat Muriqit dhe Marash Kumbullës po kalon një moment pozitiv nën drejtimin e trajnerit Martín Demichelis.
Skuadra i ka humbur vetëm dy nga nëntë ndeshjet e fundit dhe po mbështetet shumë te forma e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, i cili së fundmi e realizoi një gol shumë të rëndësishëm ndaj Villarrealit.
“Çdo pikë vlen shumë në këtë fazë”, deklaroi “Pirati” pas ndeshjes.
Në rrjetet sociale dhe forumet sportive, tifozët po e quajnë këtë një nga fundsezonet më të çmendura në historinë e La Ligës.
Në Reddit, shumë përdorues theksojnë se pothuajse gjysma e kampionatit ende e rrezikon rënien, ndërsa disa skuadra janë njëkohësisht në garë edhe për zonën evropiane.
Me vetëm pak javë të mbetura deri në fund, kalendari pritet të sjellë disa “finale” direkte mes rivalëve për mbijetesë.
Në Spanjë besohet se gjithçka mund të vendoset vetëm në javën e fundit të kampionatit, në një garë ku presioni dhe emocionet janë në maksimum.


