Pas rastit të fundit të dhunës në shkollën fillore „22 Nëntori“ në Hasanbeg, ku një nxënës 15-vjeçar u plagos me mjet të mprehtë, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, paralajmëroi ndryshime në Ligjin për arsimin fillor. Siç tha Janevska, ndryshimet parashohin vendosjen e masave ndëshkuese për prindërit e nxënësve që ushtrojnë dhunë në shkolla. Janevska bëri të ditur se dikasteri I Arsimit tashmë po diskuton me deputetët për formulimin e ndryshimeve ligjore, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë të ndërhyjnë në ligje për aq kohë sa paraqitet nevoja për përmirësimin e sigurisë në shkolla.
“Do t’i lus deputetët të kërkojnë ndryshim dhe plotësim të Ligjit për arsimin fillor, në mënyrë që të vendoset dënim për prindin, fëmija i të cilit është autor i dhunës në shkollë. Aktualisht po bisedojmë me ta për ta formuluar atë ndryshim dhe plotësim të ligjit. Theksoj se, për aq kohë sa ka nevojë dhe përderisa realiteti e tregon këtë, do të bëjmë ndryshime dhe plotësime të ligjeve, të çdo neni, vetëm për të vendosur jo vetëm një mjedis të qetë nxënësish, por edhe zhvillimin e një mjedisi shkollor që, për fat të keq, ende nuk po tregon rezultate, pavarësisht ndryshimeve që ne po i bëjmë gjatë këtyre dy viteve”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit
Ministrja Janevska gjithashtu tha se agresiviteti i fëmijëve nuk zhvillohet në shkollë, por sipas saj, fëmijët me sjellje të dhunshme vijnë nga mjedisi familjar. Ajo shtoi se mjetet e rrezikshme, përfshirë armët apo thikat, nxënësit i sjellin nga shtëpia dhe jo nga shkolla.
“Fëmijët nuk e zhvillojnë agresivitetin në shkollë, me përjashtim të rasteve të rralla, fëmijët agresivë vijnë në shkollë të tillë. Fëmijët mjetet, armët, thikën apo çfarëdo tjetër nuk i gjejnë në shkollë, ata i sjellin nga shtëpia në shkollë. Është i domosdoshëm bashkëpunimi me të gjithë sektorët që janë të përfshirë, por unë i ftoj dhe i lus prindërit t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve të tyre. Çfarëdo që të bëjë i gjithë shteti, nëse prindërit nuk përfshihen, ne nuk mund të arrijmë sukses”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit
Janevska përsëriti edhe licencimin e psikologëve shkollorë, duke theksuar se ata duhet të jenë pjesë e ekipeve profesionale që do të punojnë me nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit për të identifikuar dhe parandaluar sjelljet e dhunshme. Ajo shtoi se nevojitet edhe trajnim shtesë për mësimdhënësit, në mënyrë që rastet e dhunës dhe sjelljeve problematike të vërehen dhe të trajtohen me kohë. Ndërkohë, shtoi se rikthimi i kujdestarisë nga stafi mësimor do të ndihmojë në parandalimin e rasteve të padëshiruara mes nxënësve.


