Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar pas një incidenti që pretendohet të ketë ndodhur sot në një kafeteri në qendër të Skenderajt, ku sipas tyre është sulmuar fizikisht zëvendësministri i Financave dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani.
Sipas reagimit të LVV-së, ngjarja ka ndodhur në kafeterinë “Solo”, derisa Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të kësaj partie.
Në reagim thuhet se Mehani fillimisht është goditur me grusht, e më pas edhe me gotë në kokë, ndërsa përleshja dyshohet të jetë shkaktuar nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.
Tutje, LVV pretendon se edhe sekretari i Qendrës së partisë në Skenderaj, Bahri Zabeli, është sulmuar fizikisht gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Sipas njoftimit, Hysni Mehani është duke marrë trajtim mjekësor.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka dënuar ashpër rastin, duke kërkuar nga organet kompetente që ta trajtojnë me urgjencë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës. Po ashtu, LVV ka kërkuar edhe reagim nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë incident.


