Sot në Kumanovë u organizua një defile i njësive speciale të shoqëruara nga furgonë dhe makina policie,dhe brohoritje “Këtu është Maqedoni, le ta dinë të gjithë” dhe “Do të luftojmë për Maqedoninë”, në një moment tepër të ndjeshëm politik dhe shoqëror për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Për shumë qytetarë, kjo nuk shihet thjesht si një demonstrim institucional force, por si një provokim i panevojshëm në një kohë kur tensionet etnike dhe pakënaqësitë sociale po rriten çdo ditë.
Ndërkohë, të hënën në Shkup priten protesta studentore për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe për trajtimin e pabarabartë që shqiptarët pretendojnë se po përjetojnë në shumë sektorë të shtetit. Kur të rinjtë dalin në rrugë për të kërkuar respektimin e gjuhës dhe të drejtave elementare, kjo duhet të alarmojë çdo institucion serioz.
Pakënaqësia nuk lidhet vetëm me simbolikën politike. Ajo lidhet me realitetin e përditshëm. Investimet në infrastrukturë vazhdojnë të përqendrohen kryesisht në zonat ku jeton shumica maqedonase, ndërsa shumë lagje shqiptare mbeten me rrugë të dëmtuara, mungesë kanalizimi, ndriçim të dobët dhe projekte të papërfunduara. Kjo ndjenjë e diskriminimit ekonomik dhe institucional po krijon revoltë, sidomos tek brezi i ri.
Edhe në sport vazhdojnë tensionet dhe ofendimet në baza etnike ndaj shqiptarëve. Vetëm pak kohë më parë u hoq flamuri shqiptar në Strugë, duke shkaktuar reagime të shumta në opinion. Megjithatë, ajo që po shqetëson më shumë qytetarët është heshtja e partisë shqiptare në pushtet, VLEN. Në momente kur pritet reagim, qëndrim dhe mbrojtje e interesave shqiptare, qytetarët shohin mungesë zëri dhe mungesë veprimi.
Në vend që shteti të ndërtojë ura besimi mes komuniteteve, qytetarët po shohin gjithnjë e më shumë veprime që perceptohen si demonstrim force dhe dominimi politik. Një shtet demokratik nuk matet me numrin e autoblindave në rrugë, por me barazinë që u garanton qytetarëve të tij.
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje — kërkojnë trajtim të barabartë, respekt për gjuhën, investime të drejta dhe një shtet ku ndihen pjesë e barabartë e së ardhmes. Nëse këto kërkesa vazhdojnë të injorohen, atëherë protestat dhe pakënaqësitë nuk do të jenë më përjashtim, por realitet i përditshëm.


