Zvicër, zbulohen 356 mijë euro të fshehura në tren – nën hetim një person për pastrim parash

Gjatë një kontrolli rutinor në pikën kufitare të Buchsit në kantonin St. Gallen, punonjësit e Zyrës Federale për Doganat e Sigurinë Kufitare kanë konfiskuar një shumë të madhe parash të padeklaruara.

Një shtetas zviceran 50-vjeçar, i cili po udhëtonte me tren nga Salzburgu i Austrisë drejt Zürichut, u kap me gjithsej 356’000 euro. Paratë ishin të shpërndara në disa zarfe, njofton gazeta Blick.

Reklame

Në momentin e ndalimit, i dyshuari fillimisht deklaroi se nuk kishte me vete as mallra dhe as para të gatshme, duke pretenduar se po udhëtonte pa bagazh.

Megjithatë, gjatë kontrollit në vagon, zyrtarët kufitarë zbuluan një çantë të fshehur nën ulëse. Brenda saj u gjetën pesë zarfe të mbyllura dhe një kuletë, të mbushura me shumën e madhe të parave.

Pas zbulimit të parave, 50-vjeçari ndryshoi dëshminë duke thënë se thjesht po transportonte shumën me porosi të një personi tjetër.

Pasi shpjegimet e tij mbi origjinën dhe qëllimin e përdorimit të këtyre parave rezultuan kontradiktore dhe të pabesueshme, autoritetet ngritën dyshime të bazuara për veprime që lidhen me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit.

Shuma e parave të gatshme u konfiskua menjëherë nga autoritetet, ndërsa hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit i kanë kaluar Policisë Kantonale të St. Gallenit.

Në Zvicër, ligji nuk parashikon ndonjë limit për sasinë e parave të gatshme që mund të futen brenda shtetit. Megjithatë, çdo person që mban me vete shuma më të mëdha se 10’000 franga zvicerane është ligjërisht i detyruar që, pas kërkesës së autoriteteve, të jetë në gjendje të provojë origjinën e parave, pronarin e tyre legjitim si dhe qëllimin e përdorimit.

By admin5