“Lufthansa” pezullon fluturimet Frankfurt-Shkup

“Lufthansa” ka ndërprerë fluturimet në linjën Frankfurt–Shkup pas më shumë se tre vitesh operimi, përcjell TV21. Fillimisht ishte planifikuar që linja të pezullohej më 1 qershor për një muaj dhe të rifillonte më 1 korrik, por kompania tani ka hequr të gjitha fluturimet deri në fund të sezonit veror, si dhe për sezonin dimëror që nis më 25 tetor.

Kompania po ofron alternativa udhëtimi drejt Shkupit përmes Vjenës, përmes filiales së saj “Austrian Airlines”. Linja Frankfurt–Shkup operohej deri në dhjetë herë në javë. Grupi “Lufthansa” po vazhdon konsolidimin e rrjetit të saj evropian, duke bërë rregullime të vazhdueshme të linjave.

Reklame

“Lufthansa” e kishte nisur këtë linjë në fund të prillit 2023 dhe gjatë dimrit të kaluar kishte ulur ndjeshëm frekuencën e fluturimeve, nga dhjetë në javë në vetëm tre.

Kompania kishte përfituar edhe subvencione nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për hapjen e linjës, të cilat kanë qenë të vlefshme deri më 30 dhjetor 2025.

Në këtë linjë, “Lufthansa” ishte operatori i vetëm, ndërsa “Wizz Air” operon fluturime drejt Hanit (Hahn), rreth 125 km larg Frankfurtit.

Ky zhvillim vjen pas një periudhe të vështirë për “Lufthansën”, e cila është përballur me greva, mbylljen e filialit CityLine dhe pezullimin e disa linjave.

By admin7