STRUGË – Një nga manifestimet më të njohura kulturore ndërkombëtare në vend, “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, ka nxitur reagime dhe diskutime në opinion pas publikimit të programit zyrtar vetëm në gjuhën maqedonase njofton agjencia e lajmeve INA.
Programi i edicionit të 65-të të këtij manifestimi, i cili financohet me mjete publike dhe mbledh poetë e pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, është shpërndarë pa version në gjuhën shqipe, duke hapur debat mbi përfaqësimin gjuhësor në ngjarjet dhe institucionet publike.
Reagimet janë përqendruar veçanërisht në faktin se Struga njihet si një qytet multietnik dhe shumëgjuhësh, ku komunitetet jetojnë dhe veprojnë së bashku prej dekadash. Për këtë arsye, mënyra e komunikimit zyrtar të një manifestimi me karakter ndërkombëtar po shihet si një çështje që tejkalon dimensionin kulturor dhe prek edhe aspektin e barazisë institucionale.
Kritikët vlerësojnë se ngjarje të tilla, të financuara nga fondet publike dhe të organizuara në një mjedis shumëetnik, duhet të sigurojnë komunikim gjithëpërfshirës dhe qasje të barabartë për të gjitha komunitetet.
Debati vjen në një periudhë kur përdorimi i gjuhëve në komunikimet zyrtare vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në shoqëri, ndërsa çështja e përfaqësimit dhe respektimit të diversitetit kulturor e gjuhësor vazhdon të ngjallë diskutime të shumta.
“Mbrëmjet Strugane të Poezisë” konsiderohen një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare në rajon dhe më gjerë, duke mbledhur çdo vit poetë, shkrimtarë dhe artistë nga vende të ndryshme të botës. Pikërisht për shkak të këtij karakteri ndërkombëtar, çështja e komunikimit shumëgjuhësh po shihet si një element i rëndësishëm i përfshirjes dhe përfaqësimit të të gjithë qytetarëve.(INA)

