Mickoski: Kodi Zgjedhor drejt finalizimit, reforma vendimtare më 26 qershor

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi është pranë një vendimi përfundimtar për Kodin zgjedhor, duke theksuar se Axjenda e reformave është pothuajse e përfunduar.

Sipas tij, të gjitha zgjidhjet ligjore që janë pjesë e kësaj axhende tashmë ndodhen në Kuvend, ndërsa ka mbetur vetëm kodi zgjedhor, për të cilin po zhvillohen konsultimet e fundit.

“Jam informuar se po i afrohemi një zgjidhjeje përfundimtare. Një seancë parlamentare është planifikuar për më 26 qershor dhe besoj se do të kemi epilogun përfundimtar”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se afati zyrtar për përmbylljen e procesit është 30 qershori, megjithëse sipas praktikës ekziston mundësia që procedurat të zgjasin deri më 15 korrik për shkak të dokumentacionit shtesë dhe procedurave administrative.

Duke folur pas promovimit të teksteve shkollore të shtypura në shkollën fillore “Ljuben Lape” në Aerodrom, Mickoski tha gjithashtu se Qeveria pritet të marrë vendim pozitiv lidhur me punën e kompanisë shtetërore energjetike AD ESM, ish ELEM, në kuadër të furnizimit me energji elektrike.

Kryeministri shprehu pritjen që vendi të konfirmojë edhe një herë pozicionin e tij pozitiv në procesin e integrimit evropian, ndërsa vlerësimi përfundimtar do të varet nga raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian. transmeton faktiditor.info

By admin