Përplasje në Pragë: Presidenti kërkon në gjykatë të drejtën për të marrë pjesë në samitin e NATO-s

Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, ka nisur një betejë ligjore kundër Qeverisë për të siguruar pjesëmarrjen e tij në samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.

Pavel, ish-komandant i NATO-s dhe aktualisht president i vendit, njoftoi se ka paraqitur një padi në Gjykatën Kushtetuese të Çekisë, duke kërkuar sqarim ligjor mbi të drejtën e tij për të përfaqësuar shtetin në takimet ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Kontesti lindi pasi Qeveria vendosi që në samit të marrin pjesë kryeministri Andrej Babis, ministri i Mbrojtjes Jaromir Zuna dhe ministri i Jashtëm Petr Macinka, ndërsa presidenti nuk u përfshi në delegacionin zyrtar.

Vendimi ka shkaktuar reagime në skenën politike çeke, ku mbështetësit e Pavelit e konsiderojnë atë si një veprim politik ndaj presidentit, i cili kohët e fundit ka kritikuar disa iniciativa të qeverisë.

“Detyra ime nuk është vetëm të ushtroj kompetencat e presidentit, por edhe t’i mbroj ato. Jo për veten time, por për të gjithë presidentët që do të vijnë pas meje”, deklaroi Pavel.

Sipas Kushtetutës çeke, presidenti përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare, por interpretimi i saktë i kësaj kompetence tani pritet të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese.

Republika Çeke është anëtare e NATO-s që nga viti 1999 dhe në të kaluarën është përfaqësuar në samitet e aleancës nga presidenti ose nga presidenti dhe kryeministri së bashku.

By admin