Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, thotë se për formimin e xhandarmërisë, të paralajmëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet pasur parasysh korniza ligjore që përcaktohet nga Kushtetuta, e cila e konsideron policinë si institucionin kryesor dhe të vetëm për zbatimin e ligjit.
Barbano thekson se në fazën aktuale, informacionet që i kanë janë të kufizuara pasi hapat e ndërmarrë deri më tani për krijimin e një xhandarmërie janë në fazën fillestare.
“Natyrisht, ne respektojmë pronësinë vendore të procesit, por duhet të kemi parasysh edhe kornizën ligjore që përcaktohet nga Kushtetuta, e cila e konsideron Policinë e Kosovës si institucionin kryesor dhe të vetëm për zbatimin e ligjit. Prandaj, çfarëdo zgjidhjeje që do të gjendet për këtë projekt duhet ta respektojë këtë kornizë ligjore, si dhe kufizimet e tjera të përcaktuara nga marrëveshje dhe aranzhime të ndryshme. Ne jemi të gatshëm t’i monitorojmë këto zhvillime. Misioni mbetet i angazhuar ngushtë në përcjelljen e kësaj çështjeje dhe, nëse kërkohet, të ofrojë këshilla dhe ekspertizë”, thotë Barbano në intervistën për KosovaPress.
Më tej, Barbano thotë se kanë një koordinim të mirëprovuar mes Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, e sipas tij, nëse krijohet një aktor i ri, në këtë rast xhandarmëria, do të jetë e rëndësishme që ai të integrohet në të njëjtin mekanizëm koordinimi.
“Sërish, ne tashmë kemi një mekanizëm koordinimi shumë të mirëprovuar ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it në fusha të ndryshme të mandateve tona, me trajnime të përbashkëta dhe takime periodike. Prandaj, nëse krijohet një aktor i ri, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme që ai të integrohet në të njëjtin mekanizëm koordinimi”, tha Barbano për KosovaPress.

