Shkruan: Blerim Canaj
Aman, përzëne Edi Ramën nga Shqipëria e na e sillni ta qeverisë Kosovën, sepse na duhet dikush që e di si futet një shtet në Këshillin e Evropës, si sigurohen njohje të reja, si përshpejtohet integrimi evropian dhe si bëhet diplomacia moderne. Na duhet dikush që e fut Kosovën në BE, në NATO në UNESCO etj.
Na duhet dikush që e faktorizon Kosovën në arenën ndërkombëtare, që zgjeron rrjetin e partnerëve strategjikë dhe që di ta rreshtojë vendin drejt në këtë katrahurë gjeopolitike ku po hyn bota. Na duhet dikush që ka kontakte në çdo kryeqytet perëndimor, që di të tërheqë investime, të ndërtojë autostrada, të zhvillojë energjinë, të forcojë ekonominë, të aktivizojë diasporën, të promovojë turizmin, të përmirësojë arsimin, të modernizojë administratën, të digjitalizojë shtetin, të fuqizojë kulturën, të rrisë ndikimin rajonal dhe ndërkombëtar të Kosovës, të afrojë vendin me BE-në, të sigurojë anëtarësime ndërkombëtare, të forcojë raportet me SHBA-të, të krijojë vende pune, të rrisë eksportet dhe ta bëjë Kosovën shembull suksesi në Ballkan.
Thjesht na duhet në Kosovë një Edi Ramë. Pastaj, jam i sigurt se sapo të fillojnë të arrihen këto objektiva, do të aktivizohen agjentura të ndryshme, do të gjenden ca shqiptarë të gatshëm të protestojnë kundër tij, do të shpiken e do të ndërtohen narrativa të reja, vetëm që të ndalet hovi i këtij zhvillimi marramendës. Sepse historia na mëson se sa herë që dikush tenton ta nxjerrë vendin nga vendnumërimi dhe ta shndërrojë në faktor rajonal e më gjerë, gjithmonë dalin të tillë që e shohin përparimin si problem. Sepse në fund të fundit, sa herë që dikush ecën më shpejt sesa mendësia e kohës dhe e shoqërisë së vet, rrallëherë e presin me duartrokitje por zakonisht fillojnë ta gjuajnë me gurë nga prapa. Jo domosdoshmërisht sepse ka gabuar, por sepse ka shkuar më larg se horizonti që të tjerët arrijnë ta shohin në atë moment. Aman na e sillni në Kosovë dhe le të qëndrojë vetëm deri sa ta faktorizoj edhe Kosovën vetëm aq sa e ka faktorizuar Shqipërinë! Pastaj do ua kthejmë sepse do bëheni pishman që na e dhatë. Vëllezër jemi…do ua kthejmë sapo të shkatërroni atë Shqipëri që e ndërtoi po ky kryeministër i keq e i poshtër! Jam i sigurt që do e ndërtoj sërish, sepse ai duket që di si ndërtohet një shtet i shkatërruar më parë!

