Spahija: Nuk na mbyllën fabrikën, pezullimin e prodhimit e vendosi bordi ynë deri në daljen e analizave

Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Artan Spahija, ka mbajtur konferencë për media një ditë pasi në fabrikë u zhvillua një aksion inspektues, duke sqaruar rrethanat që çuan në pezullimin e përkohshëm të prodhimit. Ai tha se vendimi për ndërprerjen e aktivitetit nuk është marrë nga institucionet shtetërore, por nga vetë bordi i kompanisë, në pritje të rezultateve të analizave laboratorike, raporton Ekonomia Online.

Spahija bëri të ditur se kontrolli është zhvilluar pas një vendimi të ministrit në detyrë për inspektim urgjent të qumështores.

“Arsyeja e kësaj deklarate ka qenë rasti i djeshëm që ka ndodhur te qumështorja ‘Vita’. Sot kemi një deklaratë për media. Arsyeja e vizitës së një grupi prej 15 apo 20 personave: fillimisht kanë ardhur si inspektorë, pastaj ka dalë që janë nga Ministria me një vendim. Me datën 2 korrik, ministri në detyrë ka marrë vendim për një kontroll urgjence për qumështoren ‘Vita’”, tha Spahija.

Ai shtoi se përfaqësuesit e kompanisë kanë kërkuar sqarime nga grupi inspektues për identitetin dhe kompetencat e tyre, ndërsa tha se në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Ne i kemi pritur në zyra dhe kemi kërkuar nga ata që të prezantohen se për çfarë dhe kush kanë ardhur, sepse ka qenë një numër shumë i madh. Neve na ka ardhur vetëm kjo shkresë nga zyrtarja e ministrisë dhe jo nga dikush tjetër. Për fat të keq, më duhet të them se ai grup punues nuk është marrë fare me ne; ka pasur njerëz të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të AVUK-ut. Pastaj, të gjithë këta kanë filluar vizitën në fabrikë”, deklaroi ai.

Sipas Spahisë, ndryshe nga raportimet se institucionet kishin urdhëruar mbylljen e fabrikës, vendimi për pezullimin e përkohshëm është marrë nga bordi i qumështores, pasi janë marrë mostra të qumështit për analiza.

“Dua t’ju njoftoj që vendimin për pezullimin nuk e ka marrë as Ministria, e po ashtu nuk e ka marrë as AVUK-u. Këtë vendim e kemi marrë ne si bord. Arsyeja e këtij vendimi ka qenë se janë marrë mostrat e qumështit ‘Vita’ 3.2% me pretendimin për analizë. Ne kemi thënë prapë dhe po ju bëjmë apel, që sa më shpejt që është e mundur të kryhen analizat e të publikohen, dhe ne jemi të gatshëm që që sot apo nesër të fillojmë grumbullimin”, u shpreh Spahija.

Kurse, Lekë Sahatçiu, drejtor ligjor i kompanisë tha se shqetësuese për ta mbetet përbërja e personave që kanë marrë pjesë në inspektim.

“Ajo që ka qenë shqetësuese lidhet me përbërjen e personave që kanë qenë aty. Nuk kanë qenë vetëm inspektorë, sepse inspektorë kanë qenë deri në pesë. Kemi pasur një përbërje politike; ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent i yni. Vendimi i ministrit ka qenë joligjor. Arsyeja pse ne kemi reaguar është se në atë përbërje ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent tjetër i yni”, ka thënë ai.

By admin7