Kujdes në Ohër! Kamerat inteligjente gati të regjistrojnë çdo shkelje në trafik

Sistemi “Qyteti i Sigurt” në rajonin e Ohrit po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve, ndërsa autoritetet synojnë ta vënë plotësisht në funksion përpara kulmit të sezonit turistik veror.

Së fundmi janë kryer testime teknike të kamerave në vendbanimin Raça, në rrugën drejt plazheve dhe Shën Naumit, si dhe në hyrje të Ohrit nga drejtimi i Manastirit. Sipas SPB Ohër, pas përfundimit të vlerësimeve teknike, kamerat pritet të aktivizohen së shpejti.

Paralelisht, po kontrollohen edhe pajisjet e tjera të instaluara në Ohër dhe Strugë, me synimin që i gjithë sistemi të jetë plotësisht funksional gjatë muajve korrik dhe gusht, kur trafiku arrin nivelin më të lartë për shkak të fluksit të turistëve.

Sipas policisë, rreth 40 kamera moderne janë vendosur në hyrjet dhe daljet kryesore të Ohrit, në rrugët drejt Manastirit, Shkupit, Kërçovës dhe Shën Naumit, si dhe në bulevardet dhe zonat më të frekuentuara që të çojnë drejt plazheve dhe vendbanimeve turistike.

Sistemi është projektuar për monitorimin automatik të trafikut, identifikimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Autoritetet theksojnë se objektivi kryesor është ulja e numrit të aksidenteve, veçanërisht atyre me pasoja të rënda, si dhe rritja e disiplinës së shoferëve në komunikacion.

Policia sqaron se deri tani sistemi është përdorur vetëm për testime teknike, pa vendosje automatike të gjobave. Megjithatë, pas përfundimit të të gjitha kontrolleve, “Qyteti i Sigurt” do të nisë funksionimin e rregullt, duke monitoruar respektimin e kufizimeve të shpejtësisë, sinjalistikës dhe rregullave të tjera të trafikut.

By admin