Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, edhe pse vendi i tij nuk është anëtar i NATO-s, është bërë një pjesëmarrës i rregullt në samitet e aleancës, ndërsa Ukraina vazhdon të mbrohet nga agresioni rus.
Me të mbërritur në Ankara të martën, Zelensky deklaroi se objektivi i tij kryesor në samit është sigurimi i më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
“Do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Sisteme të reja, raketa për to dhe çështja e licencave të prodhimit – të gjitha këto janë prioriteti ynë”, shkroi ai në X.
Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka arritur kryesisht t’i zmbrapsë sulmet masive ajrore ruse ndaj qyteteve të saj dhe të shpëtojë jetë njerëzish, duke rrëzuar dronët dhe raketat ruse përmes një kombinimi të teknologjisë së avancuar, taktikave ushtarake dhe armëve të furnizuara nga Perëndimi.
Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar këtë muaj. Një sulm rus ndaj Kievit javën e kaluar vrau 30 persona, ndërsa vetëm katër ditë më vonë një tjetër sulm ndaj kryeqytetit ukrainas la të vdekur edhe 19 persona.
Numri i lartë i viktimave besohet të jetë pasojë e mungesës së theksuar të raketave Patriot, të vetmet sisteme të mbrojtjes ajrore të afta për të rrëzuar këtë lloj raketash.
Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë bërë të ditur se vendi po përballet me një “mungesë kritike” të raketave Patriot. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi javën e kaluar se u ka dërguar letra pothuajse 40 vendeve, duke u kërkuar që t’i furnizojnë sa më shpejt me raketa Patriot nga rezervat e tyre ekzistuese, në këmbim të dërgesave të ardhshme që janë kontraktuar tashmë për Ukrainën, shkruan CNN.



