Nga 14 korriku nis zbatimi i Ligjit të ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili për herë të parë vendos një kornizë ligjore për organizimin e dhurimeve online (giveaway) në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Sipas rregullave të reja, çdo organizator i një giveaway-i do të duhet të pajiset me leje nga Ministria e Financave. Kërkesa për marrjen e lejes duhet të dorëzohet të paktën 30 ditë para fillimit të lojës, së bashku me dokumentacionin përkatës, përfshirë rregullat e lojës, dëshmitë për origjinën e çmimeve dhe dokumentet për gjendjen e organizatorit.
Ligji parashikon gjithashtu një tarifë për organizimin e giveaway-it, e cila do të jetë 18% e vlerës totale të fondit të çmimeve. Pagesa duhet të kryhet para fillimit të lojës, brenda tre ditëve nga marrja e lejes, në të kundërtën leja mund të hiqet.
Një tjetër risi është detyrimi për publikimin paraprak të rregullave të lojës, ku duhet të përcaktohen qartë të dhënat për organizatorin, kushtet e pjesëmarrjes, kohëzgjatja e lojës, mënyra e përzgjedhjes së fituesve, vlera e çmimeve dhe procedura për ankesat.
Rezultatet e giveaway-it (dhuratës nga loja shpërblyese) dhe emrat e fituesve duhet të publikohen jo më vonë se tre ditë pas përfundimit të lojës, ndërsa çmimet duhet t’u dorëzohen fituesve brenda afatit të përcaktuar, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se 60 ditë nga publikimi i rezultateve.
Me ligjin e ri përcaktohet edhe kuptimi i giveaway-it, i cili konsiderohet lojë fati ku pjesëmarrësit fitojnë mundësinë për shpërblim përmes aktiviteteve si pëlqimi i një postimi, etiketimi i personave, shpërndarja ose publikimi i përmbajtjeve në internet, me qëllim promovimin e produkteve ose shërbimeve.
Qëllimi i ndryshimeve është krijimi i rregullave të qarta për organizatorët, rritja e transparencës dhe sigurimi i mbrojtjes më të madhe për pjesëmarrësit në këto lloj lojërash.



