Raportime për sjellje të papërshtatshme, Trump shqyrton shkarkimin e ambasadores së SHBA-ve në Greqi

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas një sërë raportimesh që ngrenë dyshime për sjelljen e saj dhe përdorimin e postit diplomatik. Sipas mediave amerikane, edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, është i pakënaqur me zhvillimet e fundit dhe pritet që administrata të vendosë për hapat e mëtejshëm gjatë kësaj jave.

Guilfoyle, ish-e fejuara e Donald Trump Jr., djalit të madh të presidentit amerikan, është vënë në qendër të vëmendjes pas raportimeve se ka pranuar dhurata luksoze gjatë ushtrimit të detyrës dhe se, përpara konfirmimit të saj si ambasadore, ka kërkuar para nga një donator i afërt me Trump, duke i ofruar në këmbim mundësi kontakti me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, Eric Deters, ish-donator i Trump, pretendon se Guilfoyle i kërkoi t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer një detyrim në kartën e kreditit American Express. Deters tha se nuk ia dërgoi paratë. Avokati i ambasadores ka kundërshtuar vërtetësinë e mesazheve të publikuara, ndërsa Guilfoyle i ka mohuar akuzat në komunikimet me zyrtarë të administratës.

Raportimet kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për dhuratat dhe udhëtimet luksoze që ambasadorja dyshohet se ka përfituar nga biznesmenë grekë, si dhe për promovimin e interesave të një kompanie greke të sektorit të energjisë. Sipas raportimeve mediatike, këto çështje po shqyrtohen nga autoritetet përkatëse amerikane. Akuzat nuk përbëjnë në vetvete prova përfundimtare të shkeljeve.

Guilfoyle ka vizituar Tiranën dy herë gjatë këtij viti dhe është takuar me kryeministrin Edi Rama. Vizitat u zhvilluan në mars dhe prill, ndërsa në fund të prillit ajo mori pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje 20-vjeçare për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm amerikan, me vlerë të raportuar prej 6 miliardë dollarësh.

Zhvillimet rreth ambasadores u bënë publike në një moment delikat për diplomacinë amerikane, ndërsa Marco Rubio po zhvillonte një vizitë në Athinë, ku mbajti një fjalim për demokracinë dhe vlerat perëndimore. Sipas raportimeve, zbulimet e fundit kanë shkaktuar pakënaqësi brenda administratës amerikane.

Presidenti Trump, i pyetur për akuzat, tha se sapo kishte dëgjuar për to dhe se nuk i njihte mirë detajet. Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se nuk dëshironte të gjykonte askënd përmes opinionit publik, por theksoi se nuk e mbështet shkëmbimin e parave me akses te zyrtarët e qeverisë.