Hoxhaj: Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara, Kosova qe 3 vjet në sirtarët e BE-së, s’po merret askush me të

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas avancimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke thënë se zhvillimet e sotme duhet të shërbejnë si një thirrje për reflektim për Kosovën.

Hoxhaj ka uruar Shqipërinë për avancimin në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe Malin e Zi për mbylljen e dy kapitujve të tjerë negociues, duke vlerësuar se të dy shtetet po e shndërrojnë vizionin e tyre evropian në realitet.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Ballkanin. Shqipëria po avancon në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Mali i Zi po mbyll edhe dy kapituj të tjerë në rrugën e tij drejt anëtarësimit. Urime të dy shteteve për këtë sukses dhe për vizionin evropian që po e shndërrojnë në realitet”, ka shkruar Hoxhaj.

Duke folur për pozitën e Kosovës, ai ka theksuar se vendi ka humbur ritmin në procesin e integrimit evropian.

“Deri para 7 vitesh, vendi ynë kishte një perspektivë shumë më të besueshme evropiane dhe gëzonte një mbështetje më të madhe nga partnerët tanë. Ndërkaq, qe 3 vjet Kosova pret që statusin e vendit kandidat ta shqyrtojë dikush, por ai ka mbetur në sirtarët e Bashkimit Evropian dhe askush nuk po merret me të”, ka deklaruar Hoxhaj.

Sipas tij, ndërsa vendet e tjera të rajonit po afrohen gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet prapa në procesin e integrimit.

“Sot, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen çdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në rajon në rrugën drejt anëtarësimit. Kosova meriton ta rikthejë vendin e saj në agjendën evropiane dhe të ecë përpara me besueshmëri e vizion”, ka përfunduar Hoxhaj.

By admin7