Përplasjet në protestë, 21 policë dhe 13 protestues marrin ndihmë mjekësore

Situata në Tiranë është përshkallëzuar ndjeshëm, ku përplasjet gjatë protestës janë shoqëruar me zjarre në hyrje të Bankës së Shqipërisë, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe disa automjete. Protestuesit i kanë vënë flakën edhe një makine dhe një biznesi pranë Gjykatës së Lartë.

Pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh, policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Aksioni u zhvillua pas mbërritjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, efektivëve të Operacionales, të cilët përdorën autobote me ujë për të larguar turmën nga bulevardi, raporton RTSH.

Efektivët përparuan në terren, duke ushtruar presion për zhvendosjen e protestuesve dhe lirimin e hapësirës përpara Kryeministrisë. Pas ndërhyrjes, turma u shpërnda nga bulevardi, ndërsa kanë nisur dhe shoqërimet e para nga efektivët.

Pas shpërndarjes nga Kryeministria, protestuesit kanë hedhur molotovë drejt ish-hotel ‘Dajtit’ ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë duke i vënë flakën hyrjes së bankës.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se nga ora 17:00 e deri më tani në Spitalin Universitar të Traumës dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë mbërritur 21 efektivë dhe 13 protestues.

Në njoftim thuhet se 16 policë dhe dy protestues të lënduar gjatë protestës ndodhen te Spitali i Traumës. Ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë mbërritur një polic dhe dy protestues.