Kryesia e KF Shkëndija Haraçinë, pas situatës së rëndë të krijuar gjatë ditës së sotme, si pasojë e sjelljeve dhe ofendimeve të papranueshme nga ana e arbitrit dhe Federatës, ka mbajtur një mbledhje urgjente, ku janë shqyrtuar me seriozitet zhvillimet e fundit dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.
Në këtë mbledhje, Kryesia ka shprehur mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për Kryesinë e Ngushtë, duke i dhënë legjitimitet të plotë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mbrojtje të dinjitetit, integritetit dhe interesave të klubit.
Dhe këtë herë, nuk do të mbetet vetëm me fjalë! Që në fillim të javës së ardhshme do të ndërmerren hapa konkretë.
KF Shkëndija Haraçinë ka treguar vazhdimisht se është klub me karakter, me histori dhe me dinjitet. Kemi ditur të përballemi me vështirësi dhe të përballojmë padrejtësi, por askush nuk duhet ta ngatërrojë durimin tonë me dobësi dhe korrektësinë tonë me frikë.
DURIMI KA KUFIJ, DINJITETI NUK KA ÇMIM!
Haraçina nuk pranon ofendime, nuk pranon nënçmim dhe nuk do të heshtë kur cenohet respekti ndaj klubit tonë. Askush nuk është mbi përgjegjësinë dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Shkëndijën sikur zëri i saj të mos ketë rëndësi.
Ne kërkojmë respekt, drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë dhe dinjitetin që i takon çdo klubi.
Shkëndija do të qëndrojë e bashkuar, e vendosur dhe e palëkundur. Përballë çdo padrejtësie do të reagojmë me vendosmëri dhe përmes të gjitha rrugëve institucionale që kemi në dispozicion.
SHIHEMI TË HËNËN!
Dhe po, do të shihemi! Sepse kjo çështje nuk përfundon këtu.
KF SHKËNDIJA HARAÇINË Dinjiteti ynë nuk negociohet. Respekti ynë nuk kërkohet me lutje. Për të, qëndrojmë të bashkuar!



