Haxhiu: Në fillim të gushtit pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të thirret në fillim të muajit gusht.

Ajo është munduar të arsyeton mos thirrjen e kësaj seance.

Në një konferencë për media, Haxhiu ka bërë se këtë seancë nuk është thirrur për të iu dhënë kohë bisedimeve që lideri i VV-së, Albin Kurti, ka nisur për partitë tjera parlamentare.

“Ju e dini shumë mirë që përpjekja serioze e Kryeministrit Kurti po vazhdon. Kryeministri Kurti ka ftuar partitë politike për këtë qëllim, por LDK i ka pezulluar negociatat, ndërsa PDK ka pasur qëndrimin e vet dhe AAK-ja nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Nuk mund të ketë, si me thënë, detyrime për t’iu përgjigjur këtyre takimeve, por është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për vetë shtetin tonë, që të ketë përpjekje maksimale që ta gjejmë një zgjidhje. Askush, siç e përmenda, nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës sepse nuk do të zgjidhnin asgjë”, ka thënë ajo.

Haxhu ka bërë me dije se javën e ardhme do të dihet data se kur do të thirret seanca konstituive.

“Tash, afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Ju faleminderit dhe shihemi në konferenca të tjera”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka thënë se i ka mirëpritur fillimin e bisedimeve në mes të partive politike për formimin e institucioneve të reja.

“Si ushtruese e detyrës së presidentes, unë i kam mirëpritur takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotërit Albin Kurti. E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjitha partitë duhet të bëhen pjesë e këtyre bisedimeve.

“Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pasë takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje. Edhe një herë duhet të theksoj, siç kam thënë më përpara, qytetarët e Republikës së Kosovës përmes votës së tyre i kanë ndëshkuar bllokadat apo qëndrimet bllokuese, të cilat pamundësojnë që ta zgjedhim presidentin e vendit. Kosovës i duhet një president me mandat pesëvjeçar, prandaj rreth kësaj duhet të ketë përpjekje maksimale, pra duhet të ketë bashkëpunim nga të gjitha palët”, ka thënë Haxhiu.

By admin7