Biznesmeni i akuzuar Borçe Markovski sot e ka lënë Maqedoninë, pasi dje Gjykata Themelore në Strugë ia ktheu pasaportën.
Markovski, pronar i kompanisë „Markovski Kompani“, është i akuzuari kryesor në lëndën për keqpërdorime gjatë tenderimeve publike në REK „Manastir“, ku të akuzuar janë edhe shtatë persona fizikë dhe një person juridik. Pesë prej tyre janë drejtorë dhe udhëheqës të njësive në këtë kombinat, transmeton portali Lideri.mk.
Ai sot u ndalua në pikën kufitare Tabanoc, por meqenëse ndaj tij nuk kishte asnjë masë aktive që do ta pengonte të kalonte kufirin shtetëror, u lejua të vazhdonte drejt Serbisë, raportoi ‘360 Stepeni’.
Sipas mediumit, jozyrtarisht, Prokuroria Themelore Publike në Strugë ishte kundër kthimit të pasaportës, por mendim pozitiv kishte dhënë Prokuroria e Lartë Publike në Manastir, e drejtuar nga Peco Veziroski.
” “
Markovski zotëron kompani dhe pasuri të tjera në Serbi. Kthimi i pasaportës nuk është polemika e parë që lidhet me procesin gjyqësor ndaj tij, pasi Këshilli Gjyqësor kishte konstatuar se në Gjykatën Themelore të Manastirit ishte formuar një “këshill penal i dëshiruar”, me qëllim që pronari i „Markovski Kompani“ të lirohej nga paraburgimi.
Ai u lirua nga paraburgimi në janar të këtij viti, pasi ofroi garanci se nuk do të arratisej, në vlerë prej afro 5 milionë euro, të përbërë nga pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme: një shtëpi, tre banesa, si dhe 25 buldozerë dhe kamionë, transmeton portali Lideri.mk. Gjykata e Manastirit, pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë së Manastirit, atëherë i caktoi masa kujdesi, përkatësisht detyrimin që një herë në javë të paraqitej në gjykatë, ndërsa pasaporta iu konfiskua përkohësisht.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se masat për ndalimin e daljes nga shteti caktohen nga gjykata kompetente ose një organ tjetër kompetent, ndërsa policia vepron vetëm mbi bazën e vendimeve aktive të regjistruara në sistemet zyrtare.
Markovski dhe shtatë persona të tjerë akuzohen për vepra penale që lidhen me një prokurim publik për zhvendosjen e stacioneve lëvizëse nga TEC “Osllomej” në REK “Manastir”. Edhe pse pajisjet nuk ishin planifikuar fare të përdoreshin në Manastir, u zhvillua tenderi, u nënshkrua kontratë me vlerë rreth 1.7 milionë euro, ndërsa kompania e tij „Markovski Kompani“, si fituese e tenderit, i çmontoi makineritë nga Kërçova, i transportoi në Manastir dhe i la të pamontuara brenda kompleksit të REK „Manastir“.



