Franco Baresi, një prej mbrojtësve më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe kapiteni legjendar i Milanit dhe Kombëtares italiane, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga klubi i Milanit, i cili përmes një mesazhi prekës i dha lamtumirën ikonës së tij, duke theksuar se trashëgimia e Baresit do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së klubit.
“Historia e Milanit vajton ndarjen nga jeta të Franco Baresit. Shembulli dhe ndikimi i tij do të jetojnë përgjithmonë, ashtu si fanella me numrin 6, e cila është pjesë e pandashme e ADN-së së klubit. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen e tij dhe për të gjithë tifozët kuqezinj”, thuhet në reagimin e Milanit.
Baresi kishte kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore, pasi në vitin 2025 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për një nodul pulmonar. Megjithatë, ai ishte rikthyer në publik muajt e fundit, duke qenë i pranishëm në “San Siro” dhe duke marrë pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku mbajti flakën olimpike.
Gjatë karrierës së tij, Baresi zhvilloi 719 ndeshje me fanellën e Milanit, duke fituar gjashtë tituj të Serie A dhe tre Kupa Evropiane/Liga të Kampionëve. Me kombëtaren italiane regjistroi 81 paraqitje dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1982.
I lindur më 8 maj 1960 në Travagliato, pranë Brescias, Baresi iu bashkua akademisë së Milanit në vitin 1974 dhe debutoi në Serie-n A në vitin 1978. Ai u bë shpejt lideri i mbrojtjes kuqezi dhe në moshën 22-vjeçare mori shiritin e kapitenit, duke u shndërruar në simbolin e një prej epokave më të lavdishme në historinë e klubit.
Nën drejtimin e Arrigo Sacchit dhe më pas Fabio Capellos, Baresi udhëhoqi Milanin drejt dominimit në futbollin italian dhe europian, duke qenë një nga figurat kyçe të skuadrës që fitoi trofe të shumtë në fundin e viteve ’80-të dhe gjatë viteve ’90-të.
Me Kombëtaren italiane ai ishte protagonist edhe në Kupën e Botës 1994, ku Italia arriti në finale, të humbur me penallti ndaj Brazilit. Lotët e tij pas finales në Pasadena mbetën një nga imazhet më prekëse në historinë e futbollit.
Në vitin 1997, Baresi i dha fund karrierës si futbollist, ndërsa Milani tërhoqi përfundimisht fanellën e tij me numrin 6, në nder të një prej lojtarëve më të mëdhenj që ka veshur ndonjëherë ngjyrat kuqezi.
Franco Baresi do të kujtohet si një ikonë e Milanit, një lider i lindur dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror.





