Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Gordan Grlic Radman, lidhur me pritjet e gjata në pikat kufitare të Kroacisë, me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët nga diaspora.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka bërë të ditur se ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që këto pritje po shkaktojnë, veçanërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i udhëtarëve është më i madh, transmeton Klankosova.tv.
Ministri kroat është zotuar se do ta trajtojë këtë çështje me autoritetet kompetente në Kroaci, me qëllim që të gjenden mundësi për lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.
Konjufca ka theksuar se zgjidhja e kësaj situate është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe mërgatën, të cilët gjatë kësaj periudhe përballen me vonesa të shumta gjatë udhëtimeve.



