Takim historik apo pazar mes fuqive të mëdha? Trump, Xi dhe Putin bëhen bashkë, ja çfarë pritet të diskutohet

Presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë këtë javë një takim të përbashkët me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, duke e cilësuar këtë si takimin e parë trepalësh të këtij formati mes liderëve të tri fuqive botërore.

Takimi do të mbahet në qytetin Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut, dhe pritet të zhvillohet të enjten. Ministria e Jashtme kineze konfirmoi të hënën zhvillimin e tij, ndërsa pjesëmarrja e presidentit rus ishte konfirmuar më herët edhe nga Kremlini.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë çështja e çarmatimit dhe mospërhapjes së armëve bërthamore. Trump ka deklaruar më herët se beson se mund të arrihet një marrëveshje e re mes fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

“Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër të tjera, do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë. Presidenti Trump beson se përhapja e tyre është shumë e rrezikshme”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë ulur pritshmëritë për arritjen e një marrëveshjeje konkrete gjatë këtij takimi. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, bisedimet do të shërbejnë më tepër si pikënisje për një dialog të mëtejshëm mes tri vendeve.

“Ne nuk presim që të arrihet ndonjë marrëveshje. Këtë do ta konsideroja si hyrjen në një proces, si bisedën e parë në nivel liderësh mes këtyre vendeve”, u shpreh zyrtari amerikan.

Takimi vjen në një moment delikat për sigurinë ndërkombëtare. Traktati i fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë përfundoi në shkurt, ndërsa Kina po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor.

Marrëdhëniet mes tre liderëve dhe lufta në Ukrainë

Edhe pse një takim i përbashkët në këtë format është i paprecedentë, marrëdhëniet mes liderëve kanë një histori të gjatë. Xi Jinping dhe Vladimir Putin kanë zhvilluar dhjetëra takime që prej vitit 2013, duke ndërtuar një partneritet të ngushtë politik dhe strategjik mes Kinës dhe Rusisë.

Pavarësisht se Pekini ka pretenduar neutralitet në luftën Rusi-Ukrainë dhe është përpjekur të paraqitet si ndërmjetësues i mundshëm i paqes, vendet e NATO-s e akuzojnë Kinën se ka ndihmuar Moskën me pajisje dhe teknologji që mbështesin përpjekjet e saj ushtarake.

Nga ana tjetër, Trump dhe Putin janë takuar personalisht në shtatë raste, përfshirë takimin e fundit në Alaskë, në vitin 2025. Marrëdhënia mes tyre ka kaluar periudha tensioni, por muajt e fundit është shfaqur më e afërt.

Ndërkohë, takimi trepalësh ka ngritur shqetësime edhe në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar më herët se një marrëveshje mes Trump, Xi dhe Putin nuk duhet të përcaktojë të ardhmen e Ukrainës pa pjesëmarrjen e Kievit.

“Ne nuk duam që kjo të kthehet në një ‘Jaltë 2, 3 apo 4’, me një rishpërndarje të zonave të influencës”, deklaroi Zelensky, duke iu referuar Konferencës së Jaltës të vitit 1945, kur fuqitë aleate diskutuan riorganizimin e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur gjithashtu se në axhendën e bisedimeve pritet të përfshihet edhe Irani. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse tre liderët do të diskutojnë drejtpërdrejt luftën në Ukrainë.

Në delegacionin amerikan pritet të jetë edhe sipërmarrësi Elon Musk, por sipas Shtëpisë së Bardhë, ai nuk pritet të marrë pjesë në takimin trepalësh.