BDI ngre dyshime për zhvendosjen e prioriteteve në ndërtimin e korridoreve

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Qeverinë se po i jep përparësi ndërtimit të Korridorit 10D në dëm të Korridorit 8, duke ngritur dyshime se projekti strategjik po përdoret për qëllime elektorale.

Në një reagim publik, BDI thotë se, sipas informacioneve që posedon, në terren po punohet me një raport pothuajse 4 me 1 në favor të segmentit Prilep–Manastir të Korridorit 10D, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe dinamika e punimeve janë zhvendosur në dëm të Korridorit 8.

Partia opozitare rikujton se të dy segmentet janë pjesë e të njëjtit projekt infrastrukturor të realizuar me konsorciumin Bechtel-Enka, duke vlerësuar se Qeveria ka ndryshuar në praktikë prioritetet e projektit.

Sipas BDI-së, arsyeja e këtij ndryshimi lidhet me synimin që Korridori 10D të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, në mënyrë që të shfrytëzohet si projekt elektoral nga pushteti.

“Nëse kjo konfirmohet, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të rëndë, ku paratë, punëtorët dhe mekanizimi i një projekti shtetëror me vlerë miliarda euro orientohen sipas kalendarit zgjedhor të partive në pushtet”, thuhet në reagim.

BDI thekson se çështja është edhe më serioze për shkak të rëndësisë strategjike të Korridorit 8, të cilin e cilëson si një korridor të NATO-s dhe pjesë të lidhjes lindje–perëndim nga Adriatiku drejt Detit të Zi dhe krahut juglindor të Aleancës. Sipas partisë, çdo vonesë e qëllimshme e këtij korridori tejkalon dimensionin e politikës së brendshme dhe kërkon shqyrtim me seriozitet maksimal.

Në këtë kontekst, BDI ngre pyetjen nëse bëhet fjalë vetëm për një keqpërdorim elektoral të projektit, apo për një ngadalësim të qëllimshëm të një korridori me rëndësi strategjike për NATO-n, duke pyetur se “kush përfiton nga dobësimi i Korridorit 8”.

Në fund, partia kërkon transparencë të plotë nga institucionet, duke kërkuar të publikohen të dhënat për numrin e punëtorëve, mekanizimin dhe mjetet financiare të angazhuara aktualisht në Korridorin 10D dhe në Korridorin 8, si dhe të sqarohet se kush ka marrë vendimin për këtë raport dhe mbi çfarë bazash është arsyetuar.

By admin7