Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se partia e tij, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit sonte.
Tahiri tha në një konferencë për media se kërkesa është që seanca të thirret në orën 22:30, me qëllim që deputetët e zgjedhur dhe të betuar të mblidhen dhe të kërkojnë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Si grup parlamentar, në diskutim edhe me grupet e tjera parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, e cila duhet të thirret sonte në orën 22:30. Ne, me autorizimin tonë si deputetë të zgjedhur dhe të betuar në Kuvend, të mblidhemi dhe t’i kërkojmë kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë seancën dhe sonte ta përfundojmë procesin”, tha Tahiri.
Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për nesër në orën 11:00. Afati kushtetues për përfundimin e procesit të konstituimit përfundon sonte.



