Sulm kibernetik ndaj 178 markave të njohura botërore, rrezikohen të dhënat e miliona përdoruesve

Vizitorët e faqeve të internetit të 178 organizatave të mëdha, përfshirë Zoom, BBC, CNN, HSBC dhe IKEA, u ekspozuan të hënën ndaj JavaScript-it keqdashës, të shpërndarë përmes një platforme të komprometuar të palëve të treta, sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Report URI.

Platforma të tjera të njohura që u prekën nga incidenti të martën, përmes platformës së eksperimentimit në internet Optimizely Web, përfshinin Salesforce, GitLab, Equifax, Air France-KLM, prodhuesin e portofolëve harduerikë për kriptomonedha Ledger dhe shërbimin e transmetimit Peacock, bëri të ditur Report URI në një deklaratë.

Malware-i me shumë funksione ishte projektuar për të përgjuar të dhënat e kartave të pagesës, për të zëvendësuar adresat e portofolëve të kriptomonedhave me adresa të kontrolluara nga sulmuesit, si dhe për të vjedhur skedarët e cookies të shfletuesit dhe pamjet e ekranit.

Në iPhone dhe iPad të Apple, kodi i injektuar shpërndante gjithashtu paketat e shfrytëzimit të dobësive Coruna dhe DarkSword për sistemin operativ iOS, sipas raportit, i cili shtoi se transaksionet e verifikuara kanë konfirmuar tashmë vjedhje të kriptomonedhave të lidhura me sulmuesit.

Pjesa më e madhe e kodit keqdashës u hoq me shpejtësi pas zbulimit. Deri në orën 21:52 UTC të së hënës, skripti i infektuar u gjet vetëm në një nga 188 fragmentet e prekura, një rënie e ndjeshme krahasuar me 169 të tilla në orën 20:56 UTC./AA