Që nga lashtësia, që kur njerëzimi ka jetuar në këto troje, uji ka qenë një nga burimet themelore të jetës. Njerëzit kanë shfrytëzuar burimet, përrenjtë dhe lumenjtë për të siguruar ujin e nevojshëm për jetesë, bujqësi dhe zhvillimin e vendbanimeve.
Prandaj, mungesa e ujit është dhe mbetet një problem serioz për çdo komunitet dhe për çdo vend. Edhe Gostivari nuk është përjashtim. Situata aktuale kërkon zgjidhje të shpejta, efikase dhe mbi të gjitha, afatgjata.
Dramatizimi i skajshëm dhe politizimi i çdo situate nuk u ndihmojnë qytetarëve. Përkundrazi, ato vetëm sa shtojnë panikun, pasigurinë dhe zhurmën publike, duke e larguar vëmendjen nga ajo që është më e rëndësishme: zgjidhja e problemit.
Në çdo krizë, qytetarët kanë nevojë për informacione të sakta, koordinim dhe qetësi. Ata kanë nevojë të dinë se institucionet po punojnë dhe se çdo mundësi po shfrytëzohet për ta tejkaluar situatën.
Për fat të keq, ekzistojnë edhe grupime politike që mezi presin situata të tilla për të prodhuar lajme, akuza dhe shpifje. Në vend që të kontribuojnë me ide dhe zgjidhje, përpiqen ta komplikojnë edhe më shumë situatën përmes supozimeve, interpretimeve të pabazuara dhe dezinformatave, me synimin për të përfituar politikisht nga shqetësimi i qytetarëve.
Komunat në Maqedoninë e Veriut nuk janë kopshte me lule. Ato përballen çdo ditë me probleme konkrete, sfida të shumta, mungesë të mjeteve financiare dhe teknike, si dhe me pritshmëri gjithnjë e më të mëdha nga qytetarët.
Problemet infrastrukturore, kërkojnë investime, planifikim, mirëmbajtje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
Krizat kalojnë, ndërsa qytetarët mbeten. Mbeten familjet, mbeten fëmijët, mbeten shtëpitë dhe mbeten vendbanimet tona.
Mbi të gjitha, mbetet e ardhmja e Gostivarit.
Dhe për këtë të ardhme, na duhet më pak zhurmë politike dhe më shumë punë, solidaritet dhe bashkëpunim.



