Uniteti politik dhe artikulimi i përbashkët në përfaqësimin parlamentar dhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar

Shkruan: Refik Hasani

Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në funksion të artikulimit të një platforme të përbashkët politike, duhet domosdoshmërisht të dëshmojë unitet, harmonizim të qëndrimeve dhe konsensus politik ndërmjet subjekteve të saj politike, jo vetëm në rrafshin e përfaqësimit në Parlamentin e Serbisë, por edhe në kuadër të Këshillit dhe të kuvendeve komunale.

Zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, të mbajtura më 25 tetor, dhe ato për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të zhvilluara më 8 nëntor, përfaqësojnë dy procese të ndryshme përfaqësimi politik dhe institucional. Megjithatë, të dyja kanë rëndësi strategjike për konsolidimin e subjektivitetit politik dhe mbrojtjen e të drejtave e interesave kolektive të shqiptarëve në Republikën e Serbisë, përfshirë edhe ata në Sanxhak dhe në pjesët e tjera.

Përfaqësimi parlamentar dhe ai përmes Këshillit duhet të funksionojnë si mekanizma komplementarë, të ndërlidhur dhe të koordinuar.

Prandaj, dallimi në mënyrën e konkurrimit zgjedhor, ku për Parlamentin e Serbisë subjektet shqiptare garuan me një listë të përbashkët, ndërsa për Këshillin me katër lista të veçanta, nuk duhet të shndërrohet në burim përçarjeje gjatë konstituimit dhe funksionalizimit të këtij institucioni.

Përkundrazi, zgjedhja e kryetarit dhe strukturave drejtuese të Këshillit duhet të mbështetet në bashkëpunim, gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi institucionale, duke vendosur interesin e përgjithshëm mbi atë partiak.

Si bir i kësaj Krahine, që vazhdimisht përcjell dhe trajtoj zhvillimet e saj, nuk dëshiroj të shoh mungesë uniteti ndërmjet përfaqësuesve tanë. Nuk duhet të përsëritet përvoja e 12 shtatorit 2015, kur në mbledhjen e përbashkët për miratimin e deklaratës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi, si Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk morën pjesë dy subjekte politike, ndërsa të pranishëm ishin vetëm 43 këshilltarë komunalë shqiptarë nga tri komunat.

Po ashtu, duhet të shmanget përsëritja e krizës institucionale të vitit 2022, kur, megjithëse zgjedhjet e rregullta për Këshillin u mbajtën në nëntor 2022, subjektet politike shqiptare nuk arritën ta konstituonin atë brenda afatit ligjor, për shkak të mospajtimeve rreth zgjedhjes së kryetarit.

Si pasojë, ministria përkatëse serbe emëroi një Organ të Përkohshëm për ushtrimin e funksioneve të Këshillit, ndërsa në janar 2023 u zhvilluan zgjedhje të reja. Kjo rrethanë dëshmoi se mungesa e konsensusit politik mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta institucionale dhe të dëmtojë përfaqësimin e interesave të përbashkëta të shqiptarëve.

Përçarjet e tilla jo vetëm që pamundësojnë ndërtimin e një platforme të përbashkët politike, por dobësojnë edhe mundësinë e artikulimit të kërkesave dhe të drejtave legjitime përmes mjeteve paqësore dhe demokratike, në mbrojtje të dinjitetit, identitetit dhe vullnetit politik të shqiptarëve.

Pa unitet politik shqiptar, pa bashkëpunim, konsensus, gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi të përbashkët, nuk mund të ketë përfaqësim të fuqishëm dhe dinjitoz shqiptar. Kjo sfidë politike dhe institucionale nuk është çështje e interesave të ngushta partiake, por interes kombëtar që duhet të qëndrojë mbi partitë dhe kalkulimet politike të momentit. Zhvillimet e deritanishme dëshmojnë se ndërtimi i një platforme të përbashkët politike dhe institucionale nuk është më vetëm dëshirë apo aspiratë, por një domosdoshmëri për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, baza e tij institucionale

Këshilli Kombëtar Shqiptar, i përbërë nga 29 anëtarë, është themeluar më 3 korrik 2010 dhe vepron në bazë të legjislacionit të Republikës së Serbisë për këshillat kombëtarë të pakicave kombëtare, si dhe Statutit të tij, të plotësuar më 5 shkurt 2019.

Në Republikën e Serbisë janë themeluar gjithsej 23 Këshilla Kombëtarë të pakicave. Në 21 prej tyre anëtarët zgjidhen përmes votimit të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, ndërsa në dy të tjerët, atë të pakicës gorane dhe ruse, përmes kuvendeve të delegatëve.

Këto institucione përfaqësojnë mekanizma të ushtrimit të të drejtave kolektive të pakicave kombëtare, me kompetenca në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.

Rotacioni dhe bashkëpërgjegjësia politike në drejtimin e Këshillit

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 8 nëntorit dëshmojnë dallime në shpërndarjen e votave ndërmjet Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Në secilën prej këtyre komunave doli fituese një forcë politike e ndryshme, ndërsa në të tria rastet fitues ishte subjekti që aktualisht mban drejtimin e Këshillit.

Nisur nga ky konfigurim politik dhe përfaqësues, konsideroj se zgjedhja e kryetarit të ardhshëm të Këshillit nuk duhet të jetë çështje e dominimit të një subjekti të vetëm politik gjatë gjithë mandatit.

Për këtë arsye, bëj thirrje për një marrëveshje politike që do të mundësonte rotacionin në drejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ky rotacion nuk është qëllim në vetvete, por një mundësi për gjithëpërfshirjen e të gjitha subjekteve politike që kanë përfaqësim nga tri komunat.

Një zgjidhje e tillë do të kontribuonte në gjithëpërfshirje, kohezion politik, stabilitet institucional dhe funksionalizim më të mirë të Këshillit. Gjithashtu, do të krijonte mundësi për harmonizimin e qëndrimeve dhe artikulimin e përbashkët të interesave shqiptare në të gjitha nivelet e përfaqësimit.

Konsensusi politik, domosdoshmëri për interesin kolektiv

Uniteti dhe konsensusi politik nuk janë vetëm çështje e organizimit institucional, por parakusht për ruajtjen e subjektivitetit politik dhe avancimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

Përgjegjësia ndaj kësaj kauze kërkon që subjektet politike shqiptare të tejkalojnë interesat e ngushta partiake, të harmonizojnë qëndrimet dhe të ndërtojnë një platformë të përbashkët politike e institucionale.

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kanë nevojë për përfaqësim që nuk përfundon me rezultatin e zgjedhjeve, për bashkëpunim që nuk kushtëzohet nga ndarja e pozitave dhe për unitet që dëshmohet përmes veprimit konkret institucional. Interesi i përbashkët duhet të jetë pikëreferimi i çdo marrëveshjeje politike, ndërsa mbrojtja e të drejtave, identitetit dhe dinjitetit kombëtar duhet të mbetet përgjegjësi e përhershme.

Interesi i përgjithshëm politik, kombëtar dhe institucional duhet të jetë mbi të gjitha interesat e ngushta partiake. Uniteti politik duhet të kapërcejë kufijtë e një aspirate deklarative dhe të ruhet e të kultivohet si praktikë e qëndrueshme e përfaqësimit, bashkëpërgjegjësisë dhe artikulimit të përbashkët institucional të shqiptarëve. Vështrim, më 14 nëntor 2026.