Zyrtari i lartë i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se sot Kosova është nën pushtetin absolut të tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka vlerësuar se deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Avni Dehari pozitat e dyta që i mbajnë nuk i kanë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Kosova është në paralizë shoqërore dhe politike.
“Kosova është sot nën pushtetin absolut të tre deputetëve të Vetëvendosjes (VV), Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Avni Deharit. I pari, Albin Kurti, është u.d. i Kryeministrit të Kosovës, pa të drejtë ligjore sepse është edhe deputet. Këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës, të cilën VV-ja po e shkel në çdo hap. Albin Kurti i opozitës i quante shkelësit e Kushtetutës “super kriminelë”. Nëse ka pasur të drejtë atëherë, ka edhe tash. E dyta, Albulena Haxhiu, është u.d. e Presidentit simbas interpretimit të Albin Kurtit, liderit të VV-së. Kryetare e Kuvendit nga legjislatura e kaluar, ajo s’mund të jetë tash u.d. e Presidentit, siç e thonë ekspertët e Kushtetutës, jo shkelësit e saj”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“I treti, Avni Dehari, si deputeti më i moçëm (79 vjeçar), është kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që mund të konstitutohet pas afatit kushtetues, nëse shefi i tij Albin Kurti vendos ta konstituojë Kuvendin. Në afatin kushtetues nuk e lejoi. E shkelën Kushtetutën me paramendim kryesuesi dhe shefi i kryesuesit (79 vjeçar) të seancës konstituive, Avni Dehari dhe Albin Kurti. Kosova është në paralizë shoqërore dhe politike. Në paralizë të institucioneve kushtetuese prej kapësve të shtetit”, ka shkruar ai.



