Gruda i kundërpërgjigjet Konjufcës: Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditësh duhet të konstituohet Kuvendi

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se vazhdimi i seancës konstituive nuk ishte shkelje kushtetuese.

Gruda ka thënë se Gjykata Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën dhe jo për të interpretuar aktgjykimet e saj.

“Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, ka shkruar Gruda.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin KO124/25 e ka përcaktuar qartë se brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin.

“Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, ka deklaruar ai.

Gruda i është referuar edhe paragrafit 140 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Lexoje çfarë thotë paragrafi 140:

‘(…) Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.’”

Në fund, Gruda ka ngritur pyetjen se çfarë do të kërkohej nga Gjykata Kushtetuese nëse çështja do të dërgohej sërish për interpretim.

“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojm edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, ka përfunduar Gruda.

By admin7