Ukraina sulmon Rusinë, të paktën 13 të vdekur e rreth 40 të plagosur

Një sulm me dronë ukrainas të hënën në qytetin rus të Nizhnekamskut ka lënë të vdekur të paktën 13 persona dhe të plagosur rreth 40 të tjerë, kanë njoftuar autoritetet e rajonit të Tatarstanit.

Ukraina ka shënjestruar pothuajse çdo ditë gjatë muajve të fundit objektet ruse të naftës me raketa me rreze të gjatë veprimi. Këto sulme të njëpasnjëshme kanë shkaktuar mungesa karburanti në Rusi, kanë ulur kapacitetet ruse të përpunimit të naftës dhe kanë shqetësuar opinionin publik rus.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se kjo është një fushatë për ta detyruar presidentin rus Vladimir Putin të ulet në tryezën e negociatave dhe t’i japë fund pushtimit të Ukrainës, që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Nizhnekamsku u përfshi nga një sulm “masiv” me dronë, që kishte në shënjestër objekte industriale dhe civile, të hënën në mëngjes, sipas shërbimit për shtyp të kreut të Tatarstanit, Rustam Minnikhanov.
Zyrtarët ukrainas nuk e kanë komentuar ende sulmin.

Nizhnekamsku ndodhet rreth 1.200 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën dhe ka një popullsi prej rreth 240.000 banorësh. Qyteti është një qendër e rëndësishme e përpunimit të naftës dhe ka dy rafineri, si dhe një fabrikë petrokimike.

Dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi, të zhvilluar në vend, kanë përshkuar distanca gjithnjë e më të mëdha brenda territorit të Rusisë. Disa prej tyre tashmë kanë arritur deri në Siberi, rreth 2.000 kilometra nga kufiri mes dy vendeve.

“Ne japim përgjigje plotësisht të justifikuara dhe çdo sulm rus do të përballet me përgjigjen tonë. Lufta e Rusisë do të ndihet gjithnjë e më shumë në shtëpinë e tyre, në Rusi”, ka thënë Zelensky të dielën në mbrëmje në rrjetet sociale.

“E vetmja arsye pse kjo luftë vazhdon ende është mosgatishmëria e Rusisë për t’i dhënë fund”, ka shtuar ai.

Rusia gjithashtu ka goditur rregullisht Ukrainën nga ajri, duke përdorur raketa, bomba të fuqishme dhe dronë, duke goditur zona civile dhe duke shkaktuar mijëra viktima në mesin e civilëve, sipas Kombeve të Bashkuara.

Zyra evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë të hënën se një prej magazinave të saj në rajonin qendror të Dnipros, në Ukrainë, ishte goditur dy herë brenda më pak se 24 orësh.

By admin7