Irani sulmon Bahrejnin, shënjestron një bazë ajrore amerikane

Irani ka shënjestruar një bazë ajrore në Bahrein, në valën më të fundit të sulmeve që nga shtatori, duke shkaktuar paralajmërime publike dhe aktivizimin e sirenave në këtë shtet të Gjirit Persik gjatë mëngjesit të së dielës.

Sipas mediave iraniane, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka deklaruar se kishte dërguar gjashtë dronë për të sulmuar një sistem radarësh amerikanë në shtetin ishullor, aleat të SHBA-së.

Shpërthime janë dëgjuar në zonën përreth kryeqytetit Manama, por autoritetet e Bahreinit kanë thënë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore i kishin interceptuar sulmet përpara se ato të arrinin objektivat.

Bahreini, i cili ndodhet përballë Iranit, në anën tjetër të Gjirit Persik, është selia e Flotës së Pestë të Marinës amerikane dhe është sulmuar vazhdimisht nga Teherani zyrtar gjatë luftës, e cila është karakterizuar nga përshkallëzime të herëpashershme të sulmeve dhe periudha të gjata qetësie.

Ekzistojnë shqetësime se sulmet e mëngjesit të së dielës mund të sinjalizojnë rifillimin e luftës, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar, por deri më tani është përmbajtur nga rikthimi në operacione të mëdha ushtarake.

Negociatat për përfundimin e luftës kanë mbetur në ngërç, ndërsa SHBA-ja vazhdon bllokadën detare dhe Irani mban nën kontroll të fortë Ngushticën e Hormuzit.

Zhvillimet e mëngjesit të së dielës në Detin e Kuq shtojnë gjithashtu shqetësimet për transportin e naftës nga vendet e Gjirit.

Forcat qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite dhe në luftë me rebelët Houthi, janë tërhequr nga zona e Bab el-Mandebit. Kjo u jep rebelëve, të cilët mbështeten nga Irani, kontroll edhe më të madh mbi këtë korridor jetik detar, përmes të cilit Arabia Saudite dhe prodhuesit e tjerë të naftës në Gjirin Persik kanë transportuar furnizimet e tyre.

Ndërkohë, Hamasi ka konfirmuar se një komandant i lartë, i përfshirë në planifikimin e sulmeve të 7 tetorit 2023, është vrarë të shtunën në një sulm ajror izraelit.