Moti i ngrohtë do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim në Maqedoninë e Veriut. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), nga nesër temperaturat do të shënojnë rritje graduale dhe do të jenë sërish mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.
Krahas temperaturave të larta, pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe reshje të herëpashershme lokale shiu, me intensitet të ndryshëm.
Të martën temperaturat pritet të arrijnë deri në 20 gradë, të mërkurën deri në 21, ndërsa të enjten deri në 23 gradë Celsius.
Nga e mërkura do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi jugor, e cila herë pas here do të jetë e fortë, me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë, veçanërisht në pjesët perëndimore të vendit.
Sa i përket ditës së nesërme, temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 10 gradë, ndërsa maksimalet nga 8 deri në 16 gradë Celsius.
Në Shkup pritet mot i ndryshueshëm me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa pasdite dhe në fund të ditës do të ketë reshje shiu. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 14 gradë Celsius.



