Në Sicili të Italisë, Etna konsiderohet pothuajse pjesë e detyrueshme e programit për çdo turist. Tani, vullkani më aktiv i Evropës po bën që pushimet e shumë njerëzve të kthehen në një vuajtje të vërtetë. Për shkak të shpërthimit të fundit, i cili vazhdon që nga e premtja (07.08.2026), në ishullin italian të Mesdheut kanë mbetur të bllokuar disa mijëra pushues.
Si pasojë e reve të hirit vullkanik në qiell, trafiku ajror në aeroportin e Katanias u ndërpre plotësisht deri të mërkurën në orën 11:00. Edhe më parë, pothuajse asnjë avion nuk mund të ngrihej apo të ulej. Më shumë se 200 fluturime kanë ndjekur itinerar të ndryshuar ose janë anuluar krejtësisht, shkruan DW-ja.
Kjo e ka kthyer veçanërisht udhëtimin e kthimit për shumë pushues në një torturë. Në aeroportin e qytetit të Katanias, me rreth 300.000 banorë dhe i vendosur në rrëzë të Etnës, po zhvillohen skena kaotike. Disa familje madje janë detyruar të kalojnë natën aty. Për më tepër, fluturimet nga aeroportet e tjera dhe trenat për t’u larguar nga ishulli janë të mbushur plot. Një fluturim nga Katania në Berlin, që normalisht zgjat rreth dy orë e gjysmë, për një gazetare të Agjencisë Gjermane të Lajmeve (dpa) u shndërrua në një udhëtim prej dy ditësh e gjysmë.
Etna po nxjerr tashmë për të pestën ditë radhazi sasi të mëdha hiri dhe prushi. Nga dy kratere në lartësitë 2.360 dhe 2.750 metra po rrjedhin lumenj të dendur llave, sipas Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV). Gjatë natës (11.08.2028) u hap një krater i ri në një lartësi prej rreth 1.900 metrash. Shpërthime të tilla të vullkanit, i cili ngrihet mbi 3.300 metra, nuk janë të rralla, prandaj Etna monitorohet me kujdes të jashtëzakonshëm prej dekadash.
Për avionët zbatohen standarde shumë të larta sigurie. Autoritetet vendosin për mbylljet në varësi të drejtimit të erës dhe përqendrimit të hirit, shpesh edhe në afate shumë të shkurtra. Aktualisht, për Katanian është në fuqi niveli më i lartë i alarmit, ai i kuq. Kjo do të thotë se një shpërthim me emetim të konsiderueshëm hiri është i afërt ose tashmë ka filluar. Mëngjesin e së martës mundi të ngrihej vetëm një avion për një fluturim të brendshëm. Të gjitha uljet u pezulluan deri në orën 19:00.



