Kujdes mërgimtarë! Safe City do t’i gjobit edhe targat e huaja, dënimi do tu pret në kufij

Drejtuesit e automjeteve me targa të huaja që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar aktualisht mund t’i shmangen ndëshkimeve, pasi sistemi “Qyteti i Sigurt” deri më tani ka kapur vetëm shoferët vendas.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bëjnë të ditur se ky sistem këtyre ditëve do të fillojë të zbatohet fillimisht në Pikën Kufitare të Tabanocit dhe më pas në të gjitha pikat kufitare të vendit.

“Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ këto ditë do të fillojë të funksionojë në Pikën Kufitare Tabanoc, ku të gjithë shoferëve të automjeteve me targa të huaja, të cilët sistemi i ka evidentuar se kanë kryer kundërvajtje ose vepër penale në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’u komunikohet se kanë kryer shkelje, do t’u lëshohet Procesverbal për kundërvajtje në komunikacion së bashku me urdhërpagesë për kundërvajtje, pas së cilës do t’u ofrohet mundësia të paguajnë ose do të dërgohen në gjykatën kompetente me procedurë të shpejtë. Kjo mënyrë e funksionimit së shpejti do të zbatohet në të gjitha pikat kufitare”, thonë nga MPB-ja për “Sloboden pecat”. Megjithëse nuk është caktuar një afat i saktë se kur do të shtrihet plotësisht ky mekanizëm.

Statistikat e sistemit tregojnë se gjatë pesë muajve të parë janë regjistruar mbi 120 mijë shkelje, ku 95 për qind e tyre lidhen me tejkalimin e shpejtësisë.

By admin7