Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën dytësore në Manzë te Durrësit, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.
Ngjarja është shënuar rreth orës 02:22. Sipas informacionit paraprak të Policisë, shtetasi K. V., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe makina është përplasur me një bordurë betoni, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, K. V., 25 vjeç, si dhe dy pasagjerët, S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç.
Ndërkohë, dy pasagjerët e tjerë, R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas policisë, 16-vjeçari K. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në përplasjen fatale.



