SHBA-të dhe Gjermania përplasen për Ukrainën

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i ka hedhur poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara lidhur me goditjet e Ukrainës brenda territorit rus, duke i quajtur ato “një gjë mjaft idiote”, ndërsa theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet te sulmet e Moskës ndaj infrastrukturës civile.

Deklaratat e Pistorius ishin në përgjigje të nënsekretarit amerikan të Mbrojtjes, Elbridge Colby, i cili tha se pavarësisht “diskutimit publik që përqendrohet te spektakli i goditjeve në thellësi”, këto të fundit “nuk kanë qenë efektive për t’i dhënë fund luftës, e as nuk kontribuojnë në zbehjen e përparimeve të Rusisë në vijën e frontit”.

“Mendoj se është diçka mjaft idiote të kritikosh sulme si ato në Rusi, që synojnë shkatërrimin e objektivave ushtarake. Duhet të përqendrohemi te sulmet terroriste që ndodhin çdo ditë e çdo natë në Ukrainë, të cilat godasin infrastrukturën civile të energjisë, ujësjellësit dhe ngrohjes. Kjo është një formë terrorizmi; prandaj, duhet të flasim për këtë, e jo për sulmet legjitime në Rusi kundër objektivave jocivile”, tha Pistorius.

Mosmarrëveshjet ndodhën pas bisedimeve të Grupit Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në selinë e NATO-s në Bruksel ku aleatët diskutuan dërgimin e armatimeve shtesë në Kiev veçanërisht sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ukraina ka përdorur gjithnjë e më shumë dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, të zhvilluara brenda vendit, për të goditur rafineritë ruse të naftës, objektet ushtarake dhe infrastrukturën logjistike, duke synuar të ndërpresë furnizimet për forcat ruse dhe të pakësojë të ardhurat që financojnë makinerinë ushtarake të Moskës.