Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduar vizitën në Filipine, ku u prit me ceremoni zyrtare dhe qilima të kuq, ndërsa tashmë është nisur drejt Kinës, në kuadër të turit të tij diplomatik në Azi.
Vizita në Kinë pritet të jetë një nga ndalesat më të rëndësishme të këtij udhëtimi, ku në qendër të vëmendjes do të jenë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit, konkurrenca teknologjike dhe zhvillimet në ekonominë globale.
Nga ana e tij, presidenti kinez Xi Jinping synon të shfrytëzojë samitin e APEC-ut për të promovuar fuqinë ekonomike dhe teknologjike të vendit, veçanërisht qytetin e Shenzhenit, një prej qendrave më të rëndësishme të inovacionit në Kinë.
Gjatë fjalimit në samit, Xi kritikoi ashpër politikat proteksioniste dhe e paraqiti Kinën si një mbështetëse të ekonomisë së hapur dhe të globalizuar. Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, deklaratat e tij u interpretuan si një kundërpërgjigje ndaj politikave amerikane që synojnë të kufizojnë aksesin e Kinës në teknologjitë më të avancuara dhe praninë e produkteve kineze në disa zinxhirë globalë të furnizimit.
Një tjetër element që e bën këtë vizitë të veçantë janë kontaktet e mundshme të nivelit të lartë me liderët e fuqive të tjera botërore.
Axhenda e Trump përfshin bisedime të përbashkëta me udhëheqësit e Kinës dhe Rusisë, një format diplomatik të paprecedentë. Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur pritshmëri për përfitime të konsiderueshme nga këto takime.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës në Azi është ngritur edhe mundësia e një takimi mes Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, megjithëse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Trump nuk e konsideron një takim të mundshëm me Kim si një lëshim ndaj Phenianit. Megjithatë, ai bëri të qartë se një takim i tillë nuk është konfirmuar.
Vizita në Kinë zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës, ku përplasjet tregtare dhe konkurrenca për dominimin teknologjik mbeten ndër çështjet kryesore në agjendën e të dyja palëve.



