Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë dhënë mesazhe të forta kundër politikave ekonomike dhe sanksioneve perëndimore, duke përgatitur terrenin për një takim vendimtar trepalësh me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili pritet të zhvillohet të enjten në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Shenzhen, raporton Reuters.
Takimi i tre liderëve po tërheq vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare duke e krahasuar me Konferencën e Jaltës të vitit 1945 ku fuqitë e mëdha përcaktuan sferat e influencës. Kjo ka shkaktuar shqetësim te liderët e vendeve të vogla të Evropës dhe Azisë të cilët druhen se interesat e tyre mund të anashkalohen.
Në fjalimin e tij hapës para drejtuesve të bizneseve Xi bëri thirrje për ‘tregti të lirë dhe të hapur’ duke u përpjekur ta paraqesë Kinën si një partner të qëndrueshëm global, në kontrast me SHBA-të që kanë rritur tarifat dhe kanë kufizuar eksportin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale drejt Pekinit.
Pas Xi, fjalën e mori Vladimir Putin, fjalimi i të cilit erdhi pak pasi Ukraina shkatërroi urën rrugore të Kerçit që lidh Rusinë me Krimenë. Lideri rus i cilësoi fuqitë perëndimore si ‘ish-hegjemonë’ dhe tha se Evropa ndodhet në një ‘rënie poshtëruese’.
Sipas Putinit, sanksionet perëndimore kanë dështuar dhe vetëm e kanë bërë Rusinë më të fortë.
Në një takim dypalësh më vonë gjatë ditës, Xi dhe Putin vlerësuan partneritetin e tyre të ngushtë dhe u zotuan për hapa të mëtejmë drejt ndërtimit të një bote multipolare.
Në tryezën e bisedimeve të së enjtës mes Trump, Xi dhe Putin pritet të diskutohen çështje gjeopolitike, përfshirë:
Luftën e Rusisë me Ukrainën
Konfliktin ShBA-Iran
Tregtinë globale, inteligjencën artificiale dhe armët bërthamore
Ndonëse Kremlini i hodhi poshtë krahasimet me Jaltën si ‘lojëra të politologëve’, Putin pranoi se bota është e turbullt dhe se pret përfitime të mëdha potenciale, nga ulja në tryezë me liderët e Kinës dhe ShBA-ve.
Ndërkohë analistët presin që Washingtoni dhe Peikini të ruajnë njëfarë stabiliteti, pasi Trump dhe Xi do të takohen serish muajin e ardhshëm në samitin e G20-ës në Miami.



