Defekt kritik në Java, miliarda përdorues dhe bankat në rrezik nga sulmet kibernetike

Një problem serioz sigurie është zbuluar në Java, një nga gjuhët më të përdorura të programimit në botë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve bankare, institucioneve shtetërore, spitaleve dhe kompanive të mëdha.

Zbulimi është bërë nga kompania e sigurisë kibernetike Calif, e cila ka përdorur inteligjencën artificiale për të identifikuar një dobësi në mënyrën sesi Java menaxhon memorien e sistemeve kompjuterike. Java përdoret nga rreth 90% e kompanive të listuara në Fortune 500, përfshirë gjigantë si Apple dhe Amazon.

Dobësia, e quajtur Java4Shell, mund t’u mundësojë hackerave të ekzekutojnë nga distanca komanda të padëshiruara në sistemet që përdorin këtë teknologji. Për zbulimin e saj është përdorur modeli i ri i inteligjencës artificiale GPT-6 Cyber, i zhvilluar nga OpenAI, i cili ende nuk është i disponueshëm për publikun. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse problemi nuk korrigjohet, edhe hakerat mund ta shfrytëzojnë këtë dobësi për të depërtuar në sisteme dhe për të shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Kompania Oracle, pronarja e Java-s, nuk e ka pranuar publikisht ekzistencën e këtij defekti, por të martën publikoi një përditësim kritik sigurie, duke njoftuar se ai përmban rregullime për disa dobësi. Ende nuk dihet nëse ndonjë kompani apo platformë është prekur nga problemi. Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se rreziku është veçanërisht i madh për shkak të përdorimit të gjerë të Java-s në sektorë jetikë, përfshirë sistemet financiare, aviacionin, telekomunikacionin dhe sigurinë kombëtare.

Zbulimi vjen në një periudhë kur inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për të identifikuar dobësi të fshehura prej vitesh në sistemet kompjuterike. E njëjta kompani kishte zbuluar më herët edhe një problem serioz në PHP, gjuhë programimi që përdoret nga miliona faqe interneti, ndërsa ekspertët vlerësojnë se defekti kishte mbetur i pazbuluar për të paktën një dekadë.

Sipas studiuesve, zhvillimi i mjeteve të inteligjencës artificiale po përshpejton zbulimin e dobësive, që mund të kenë kaluar pa u vënë re nga njerëzit për shumë vite.