‘Lufta’ për drejtimin e OKB-së, Grossi mes ambicies për pushtet dhe vetos së Rusisë e Kinës

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, synon të marrë drejtimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një garë të tensionuar për të zëvendësuar Sekretarin e Përgjithshëm aktual, Antonio Guterres.

Diplomati argjentinas renditet i dyti në sondazhin e fundit paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas kandidates nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan. Grossi ka marrë nëntë vota inkurajuese dhe katër kundërshtuese, ndërsa në garë vijojnë të jenë edhe tetë kandidatë të tjerë.

Megjithatë, pavarësisht eksperiencës së tij në diplomacinë ndërkombëtare dhe drejtimin e IAEA-së, kandidatura e tij përballet me pengesa të rëndësishme, veçanërisht për shkak të perceptimit se është i afërt me presidentin amerikan Donald Trump dhe homologun argjentinas, Javier Milei.

Gjatë drejtimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të cilën e mori në vitin 2019, Grossi është shfaqur si një prej figurave më aktive të diplomacisë ndërkombëtare në situata krizash. Ai ka udhëhequr personalisht misione inspektimi në centralet bërthamore të Zaporizhzhias dhe Çernobilit në Ukrainë, pas pushtimit rus në vitin 2022.

Qasja e tij, e përqendruar te siguria teknike e centraleve dhe negociatat me palët ndërluftuese, ka ndihmuar në arritjen e disa armëpushimeve lokale për të mundësuar riparimet e infrastrukturës kritike. Ekspertët vlerësojnë se Grossi ka rritur ndjeshëm profilin ndërkombëtar të agjencisë, duke e shndërruar atë nga një institucion kryesisht teknik në një aktor të rëndësishëm diplomatik. Megjithatë, angazhimi i tij në konfliktin ukrainas ka shkaktuar pakënaqësi në Moskë, e cila e konsideron ndërhyrjen e tij përtej mandatit të drejtuesit të agjencisë.

Për t’u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, një kandidat duhet të sigurojë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të mos përballet me veton e asnjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm: SHBA-ve, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe. Pikërisht këtu qëndron një prej vështirësive kryesore për Grossin. Sipas raportimeve të mediave, Kina ka shprehur rezerva ndaj kandidaturës së tij për shkak të afërsisë me Uashingtonin dhe pritet të mbështesë Rebeca Grynspan.

Edhe Irani ka qenë kritik ndaj drejtuesit të IAEA-së, duke e akuzuar agjencinë për raportime të njëanshme dhe të ndikuara nga SHBA-të e vendet europiane, lidhur me programin bërthamor iranian. Teherani e konsideron Grossin një figurë jo të paanshme, veçanërisht pas vlerësimeve të agjencisë për rezervat e uraniumit të pasuruar në Iran. Megjithatë, analistët mendojnë se kundërshtimet e Iranit nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në votimin e Këshillit të Sigurimit.

Një tjetër problem për kandidaturën e diplomatit argjentinas është lidhja e tij politike me presidentin Javier Milei dhe mbështetja që mund të marrë nga Donald Trump. Të dy liderët kanë shfaqur qëndrime kritike ndaj OKB-së dhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa administrata amerikane ka tërhequr financime dhe mbështetje nga disa struktura të organizatës. Milei ka vënë në pikëpyetje rolin e institucioneve ndërkombëtare, ndërsa ka rihapur edhe përplasjen me Britaninë e Madhe për ishujt Falkland.

Sipas analistëve, Grossi shihet si një kandidat që mund të çojë përpara një reformim të OKB-së në përputhje me vizionin e Trump dhe Mileit, duke reduktuar strukturat burokratike dhe duke bashkuar disa agjenci. Por kjo qasje ngre shqetësime se organizata mund të largohet nga misioni i saj për zhvillimin, barazinë dhe mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, një fushatë ndërkombëtare e shoqërisë civile po kërkon që në krye të OKB-së të zgjidhet për herë të parë një grua, në 81 vite histori të organizatës. Antonio Guterres duhet të largohet nga detyra më 31 dhjetor, duke e bërë garën për pasuesin e tij gjithnjë e më të ngushtë.