Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, gjatë një konference për media, ka folur për “shkelje financiare’’ që po ndodh gjatë situatë aktuale politike.
Ramadani, ka folur për afro gjysmë milionë euro që marrin paga persona të ndryshëm të emëruar gjatë qeverisjes së VV-së.
“Kjo gjendje jo kushtetuese në të cilën VV-ja e ka futur Kosovën, ka zinxhir të shkeljeve, pra edhe ligjore, kushtetuese e financiare. Sot të ngrisim shqetësimin dhe alarmin për zhvatje buxhetore që po i ndodh Kosovës gjatë kësaj periudhe jo kushtetuese. Dhe jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të VV-së në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, pra po flasim për kabinetet, këshilltarë shoferët e të tjerët, të cilët kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit, por siç është e qartë me kushtetutë dhe ligjin për qeveri, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandatin dhe betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit. Rrjedhimisht qe atë ditë asnjë i punësuar nga këta ministra uzurpator tashmë, nuk kanë të drejtë të futën në zyrat e qeverisë, shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të VV-së, është 486 mijë e 150 euro në muaj. 463 të emëruar politikë që kanë qenë legal, e sot janë ilegalë paguhen nga buxheti i Kosovës. Ne ftojmë prokurorinë e shtetit që menjëherë qysh sot të marr veprimet e nevojshme hetimore, që t’i gjejë përgjegjësit dhe t’i vendosë para drejtësisë këta që po e zhvatin e Kosovës”, ka thënë Ramadani mes tjerash.



