Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur me armë zjarri.
Për Klankosova.tv, zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi deklaroi se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.
Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas informacioneve të Klankosova, gruaja ishte shtatzënë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar. /Klankosova.tv



