Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas publikimit të një dokumenti nga ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, i cili thA se dëshmon se vagonë të kompanisë publike Trainkos janë dërguar në Serbi për riparim gjatë vitit 2024.
Rizvanolli ka pranuar se vagonët janë dërguar në Zrenjanin të Serbisë për riparim, por ka theksuar se një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 2017.
Sipas saj, vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin për herë të parë në vitin 2017, menjëherë pasi ishin blerë. Ajo ka theksuar se procedura ishte nisur gjatë kohës së Qeverisë Mustafa, ndërsa përurimi i vagonëve të riparuar ishte bërë gjatë Qeverisë Haradinaj, nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga ministri Pal Lekaj”, ka deklaruar Rizvanolli
Ajo ka ngritur edhe pyetjen nëse Aleanca ishte e shqetësuar për këtë çështje në vitin 2017, kur ministri i saj, Pal Lekaj, kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve të riparuar në Serbi.
Reagimi i Rizvanollit vjen pasi ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, publikoi një dokument të Trainkos-it, të datës 13 nëntor 2024. Dokumenti i referohet projektit për “Riparimin e Mesëm të Vagonëve të Udhëtarëve” dhe kontratës me numër 10908-24-1153-2-1-1/C175.
Sipas dokumentit, një komision i Trainkos-it kishte udhëtuar më 6 tetor 2024 në punëtorinë e kompanisë “Shin Voz d.o.o.” në Zrenjanin të Serbisë. Në raport thuhet se punimet në këtë punishte kishin nisur më 7 nëntor 2024 dhe se ishin kryer testimet e vagonëve pas riparimit të mesëm.
Raporti konstaton se vagonët i kishin përmbushur parametrat e kërkuar dhe ishin pranuar teknikisht, ndërsa pranimi fizik do të bëhej pas kthimit të tyre në territorin e Kosovës.
Pas publikimit të dokumentit, ish-zyrtari i sigurisë, Burim Ramadani, e kishte lidhur rastin me periudhën pas sulmit në Banjskë, duke akuzuar institucionet për dërgim të parave publike në Serbi.
“Pas sulmit në Banjskë, pushteti bën biznes direkt në Serbi. I japin kontratë Serbisë. Shkojnë në Serbi për renovim të vagonëve. Krejt kjo në vitin 2024”, kishte shkruar Ramadani.



