Vuçiq i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Speciale: Nuk u prek kredibiliteti i UÇK-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua të mërkurën qytetarëve pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Vuçiq tha se për Serbinë ruajtja e paqes dhe stabilitetit mbetet prioriteti kryesor, ndërsa bëri thirrje për dialog dhe mirëkuptim.

“Për Serbinë është me rëndësi vendimtare ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Për vendin tonë nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, deklaroi Vuçiq.

Duke komentuar aktgjykimin, presidenti serb tha se katër të akuzuarit janë dënuar me 25, 18 dhe 13 vjet burgim, ndërsa sipas tij, trupi gjykues nuk ka konstatuar ekzistimin e një sulmi të gjerë apo sistematik ndaj popullsisë civile, shkruan telegraf.rs

“Trupi gjykues nuk ka konstatuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistimin e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse, sipas meje, nuk kanë dashur që ta cenojnë kredibilitetin e UÇK-së”, tha Vuçiq.

Ai pretendoi se aktakuza kishte gjithsej 10 pika, ndërsa gjashtë prej tyre lidhen me krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekjen, burgosjen, trajtimin çnjerëzor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë, raporon IndeksOnline.

Sipas Vuçiqit, për këto gjashtë pika nuk është konstatuar fajësia, ndërsa përgjegjësia penale individuale është konstatuar për katër pika që lidhen me krime lufte.

Ai tha se bëhet fjala për privim të paligjshëm të lirisë, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

“Për privim të paligjshëm të lirisë është konstatuar përgjegjësi për të paktën 385 persona, për trajtim mizor për të paktën 49 persona, për torturë për të paktën 303 persona dhe për vrasje për të paktën 96 persona”, deklaroi presidenti serb.

Vuçiq gjithashtu tha se në aktgjykim nuk janë përfshirë, sipas tij, krimet e kryera ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999. Ai përmendi edhe pretendimet për trafikim organesh dhe të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, duke thënë se këto çështje nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës për shkak të, siç pretendoi ai, pamundësisë për sigurimin e provave.

“UÇK-ja nuk është shpallur si organizatë kriminale në vetvete, por përgjegjësia është individualizuar te persona të caktuar”, tha Vuçiq.

Presidenti serb shfaqi gjatë adresimit edhe fotografi të viktimave të luftës dhe akuzoi se për disa prej krimeve të kryera ndaj serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare nuk është vendosur përgjegjësi penale ndaj udhëheqësve të UÇK-së.

Në fund, Vuçiq u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos reagojnë me eufori ndaj aktgjykimit, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor mund të vazhdojë në instanca të tjera.

“Ka edhe një instancë tjetër. Edhe nëse aktgjykimi konfirmohet, ekziston edhe instanca e tretë – Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila mund ta kthejë çështjen në procedurë të shkallës së parë. Prandaj, nuk duhet ta presim këtë aktgjykim me eufori, por duhet të jemi të durueshëm”, përfundoi Vuçiq. /IndeksOnline/