Drejtoria e Doganave ka marrë 30 kamera të reja trupore, të cilat synojnë të mundësojnë kontroll më të madh mbi veprimet zyrtare, si dhe mbrojtje shtesë si për qytetarët, ashtu edhe për punonjësit doganorë. Pajisjet do të vihen në përdorim në pikat kufitare Tabanoc, Qafasan dhe Bllacë.
Kamerat janë donacion përmes ICITAP-it amerikan, program ndërkombëtar për trajnimin dhe asistencën në zhvillimin e hetimeve kriminalistike, i themeluar në vitin 1986 si organizatë e specializuar në kuadër të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Me kamerat, veprimet zyrtare do të regjistrohen në kohë reale, ndërsa materialet e regjistruara mund të përdoren si prova dhe të shkëmbehen me institucione të tjera kompetente për zbatimin e ligjit.
Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, tha se me futjen e kësaj pajisjeje vendoset një standard i ri sa i përket profesionalizmit, transparencës, përgjegjësisë dhe sigurisë.
Sipas Nikollovskit, 30 kamerat trupore, së bashku me sistemin, infrastrukturën dhe trajnimet e realizuara, nuk përfaqësojnë vetëm teknologji të re, por një sistem që duhet të sjellë rezultate konkrete në punën e përditshme.
Ai theksoi se tri pikat kufitare të përzgjedhura janë vende ku doganierët çdo ditë punojnë me një numër të madh udhëtarësh, transportuesish dhe me një qarkullim të konsiderueshëm të mallrave.
Një nga përfitimet kryesore është mbrojtja e të dyja palëve gjatë procedurës. Sipas tij, regjistrimi do të paraqesë një dëshmi objektive për mënyrën se si ka vepruar zyrtari, por në të njëjtën kohë do të regjistrojë edhe sjelljen e udhëtarëve, transportuesve dhe operatorëve ekonomikë.
Qëllimi i dytë është parandalimi i korrupsionit. Nga Drejtoria e Doganave thonë se teknologjia duhet të jetë pjesë e përpjekjeve më të gjera për forcimin e integritetit dhe profesionalizmit, si dhe për parandalimin e keqpërdorimit të autorizimeve zyrtare.
Si përfitim të tretë, Nikollovski përmendi rritjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve. Ai theksoi se kamerat duhet të kontribuojnë që puna e doganierëve të jetë më e verifikueshme dhe pritet që pajisjet të përdoren me përgjegjësi, në mënyrë të qëndrueshme dhe profesionale, në përputhje me rregullat e përcaktuara.
Ushtruesja e detyrës ambasadore të SHBA-së në vend, Nicole Warns, shprehu mirënjohje për të gjithë ata që morën pjesë në realizimin e projektit. Ajo tha se teknologjia moderne do t’u mundësojë doganierëve t’i kryejnë detyrat e tyre me integritet më të madh dhe theksoi se pala amerikane mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të kufijve.



